Kurti thërret për një organizim që të mbrohet Telekomi

Kurti thërret për një organizim që të mbrohet Telekomi

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti thotë se zyrtarët qeveritar po heshtin edhe një vit pas rezolutës së Kuvendit për Telekomin e Kosovës, me të cilën duhet të mbrohet dhe nxjerrët nga kriza.

Sipas Kurtit, Telekomi do t’i mbijetojë grabitësve, por thotë se nevojitet organizim i profesionistëve të ndershëm, i punëtorëve të devotshëm dhe i sindikatës aktive.

Shkrimi i tij i plotë:

Asnjë fjalë Qeveria dje për njëvjetorin e Rezolutës së Kuvendit për Telekomin e Kosovës. Më 12 korrik 2018 u mor vendimi edhe që duhet të mbrohet Telekomi edhe si duhet të nxjerret nga kriza ai. Asnjë fjalë asnjë zyrtar.

Aty në 12 pika përshkruhen hapa të cilët nëse ishin ndërmarrë me kohë nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse, sot Telekomi do të kishte marrë frymë lirisht. Por PANQeveria zgjodhi të eksperimentojë me persona joprofesionistë e të kompromentuar nga radhët e tyre, në krye të Telekomit.

Aktualisht qeveria dhe drejtuesit e Telekomit po hamendësohen a do t’ia shkëpusin apo jo kontratën Z-Mobile dhe kur do t’ia paguajnë gjobën arbitrare, në vend se prerazi të merrnin vendim për ndërprerjen e saj dhe ta dërgonin në organet e sigurisë e drejtësisë këtë rast të krimit të organizuar.

Në ekonominë e vendit tonë, Z- Mobile nuk është krijuese e vlerës dhe pasurisë por rrëmbyese e tyre. E ky rast nuk është i izoluar. Ai përshkruan sferën e tyre të veprimit: grabit, grabit, grabit. Një herë nga e mira publike, një herë si kompani në kurriz të publikes dhe një herë si gjobë ndaj publikes.

Telekomi do t’i mbijetojë grabitësve. Padyshim.

Por si në çdo fushë nevojitet organizim i profesionistëve të ndershëm, i punëtorëve të devotshëm dhe i sindikatës aktive.

Mbështetja jonë nuk ka për të munguar.