Kurti letër falënderimi kryeministrit të Kroacisë: Kosova do të mbajë zemrën dhe derën hapur për miqtë si ju

Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar letër falënderimi kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkovic, nëpërmjet së cilës ia ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën që shteti dhe institucionet shëndetësore kroate ua ofruan bashkatdhetarëve tanë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod.
Kurti ka thënë se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate për t’u ofruar trajtim mjekësor të lënduarve dhe strehim udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat më të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.
“Angazhimi juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona”, thuhet në letrën falënderuese të Kurtit.
Ai e ka siguruar kryeministrin e Kroacisë se populli dhe Qeveria e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë aktin e tij të humanizmit e solidaritetit dhe se Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Plenkovic./21Media

Back to top button