Kurti: Mbase nuk e kemi ndihmuar mjaftueshëm Agim Bahtirin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, beson se kandidati Arben Vitia do të fitojë garën për Prishtinën.
“Unë jo vetëm shpresoj, por besoj që ai do të jetë kryetar i kryeqytetit dhe më 15 nëntor do ta marrë detyrën aty ku duhet dhe kanë thënë edhe qytetarët e kryeqytetit, pra si kryebashkiak i Prishtinës”, tha Kurti në konferencë për media.
“Po të kishin fituar kandidatët tanë mbrëmë, do të ishte më mirë për qytetarët, por më duhet t’ju them që sa për neve mbase më mirë është kështu sepse i kemi edhe katër javë si Lëvizje që ta sqarojmë veten tonë për çështjet lokale. E sqarimi i Vetëvendosjes për çështjet lokale është mbrapa sa i përket popullaritetit, krahasuar me çështjet nacionale”, shtoi ai.
Për humbjen e Agim Bahtirit në Komunën e Mitrovicës, Kurti tha se ka pritur rezultat tjetër.
“Sigurisht që kam pritur rezultat tjetër, edhe këtë duhet ta analizojmë pse ka ndodhur, mbase nuk e kemi ndihmuar mjaftueshëm kandidatin tonë z. Agim Bahtiri, të cilin unë e falënderoj përzemërsisht për kontributin, angazhimin e tij dhe gjithashtu për besnikërinë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe për korrektësinë në raportet e tij me mua si kryetar e si kryeministër”, tha Kurti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tregoi se nga sot do t’i takojë të gjithë kandidatët e këtij subjekti që janë në balotazh.
“Qysh sot kam caktuar një takim me kandidatët tonë që janë në balotazh nëpër komuna”, tregoi ai.
Kurti u shpreh se shprehur se në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje është bërë subjekti më i madh në nivel vendi./21Media

Back to top button