Kujton letrën e Thaçit dërguar Trumpit

Kujton letrën e Thaçit dërguar Trumpit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar letrën që kreu i shtetit, Hashim Thaçi i ka dërguar homologut të tij amerikan, Donald Trump. Në një postim në Facebook, Kurti ka përmendur një paragraf të kësaj letre, ku Thaçi citohet të ketë thënë se “është i gatshëm dhe i vullnetshëm të bëj kompromiset e nevojshme me Serbinë, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar…”.

Kurti ka deklaruar se me këso gatishmërie e dëshire nuk mund të ketë dialog, por vetëm kapitullim.

“Pra, edhe i gatshëm edhe i vullnetshëm për kompromiset e nevojshme! Jo vetëm i gatshëm, por edhe i vullnetshëm. Jo ndonjë kompromis, por kompromiset e nevojshme. Me këso gatishmërie e dëshire nuk mund të ketë dialog e marrëveshje, por veçse pazar (personal) për kapitullim (shteti). Kur je tepër fleksibil karshi Serbisë, kjo tashmë nuk paraqet më fleksibilitet, por nënshtrim e dorëzim. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë dialog me këso gatishmërie e vullneti paraprak për kompromiset e nevojshme.”, ka shkruar lideri i VV-së.

Sipas Kurtit, me ekstremizmin e tij, presidenti Thaçi e ka sabotuar vetveten.

“Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët. Dhe, ekstremist nuk është vetëm ai që a priori nuk do dialog, por edhe ai që a priori do marrëveshje. Pra, ekstremist është pikërisht ai që pranon gjithçka duke kërcyer te ujdia pa negociata fare. Me këtë ekstremizmin e tij, Presidenti i Kosovës sabotoi vetveten. Sepse me servilizëm kaq të sforcuar s’mund t’i pëlqesh dot askujt. Megjithkëtë Presidenti ka dashur të na e bashkojë Luginën me Kosovën? E kam dëgjuar në konferenca shtypi në Prishtinë, nuk e pashë në këtë letrën e 8 janarit që ia nisi Presidentit Trump në Washington D.C.”, ka shkruar më tej.

Presidenti Thaçi në fillim të muajit janar ia kishte kthyer letrën Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Përmes letrës së dërguar, Thaçi ishte zotuar se do të bëjë apel te qytetarët e Kosovës që të ndjekin thirrjen e bërë nga presidenti i Amerikës që në letrën e dhjetorit kishte thënë “të flasin me një zë gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do të bënin një marrëveshje më vështirë të arritshme”./21Media