Kurti flet për vendimet e para si kryeministër

Kurti flet për vendimet e para si kryeministër

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të bashkëbiseduar me ndjekësit e tij, duke dhënë edhe detaje me prioritetet që do të ketë qeveria e tij.

Ai tha se datat e mundshme të zgjedhjeve tashmë janë 29 shtatori ose 6 tetori, por cilado është ajo, Kurti deklaroi se subjekti që drejton është gati për zgjedhjet e ardhshme.

Kurti ka treguar edhe për vendimet e tij në krye të ekzekutivit të Kosovës.

“Ndër vendimet e para do të jenë zvogëlimi i qeverisë, të mos kemi më 21 ministri me 80 zëvendësministra, por 12 ministri me nga një zëvendësministër për ministri. Në të njëjtën kohë është e domosdoshme që të dërgojmë sinjalin për luftim të korrupsionit e krimit se shteti është deligjitimuar me skandale qeveritare”, tha Kurti.

Po ashtu, Kurti deklaroi se ndër gjërat e para që do të bëjë është kthimi i prokurorit Elez Blakaj në Kosovë.

“Mbase ndër gjërat e para që do të bëjmë në qeverisje është që do ta kthejmë Elez Blakajn në Kosovë. Iku sepse e përndoqën dhe ndodhet për strehim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pas zgjedhjeve me qeverinë tonë te re, ai do të kthehet në Kosovë”, vijoi Kurti.

Ai ka folur edhe për forcimin e gjyqësorit dhe për prokurorë të zotë, që sipas tij, duhet të ngrenë aktakuza për të luftuar korrupsionin. Sipas tij, prokurorët vetëm duke lexuar raportin e Zyrës Kombëtar të Auditimit mund të ngrenë aktakuza pa lëvizur nga zyrat e tyre.

Sipas Kurtit, qytetarët normalisht që refuzojnë të paguajnë tatime kur shohin se paratë e tyre keqpërdoren.

“Duhet ta ndalim krimin e korrupsionin në mënyrë që t’ia kthejmë kredibilietin si tatim mbledhës. Për shkak të qeverisë korruptuar shteti është ai i cili është zbehur për nga vlera në sytë e qytetarëve të republikës. Ne besojmë që sundimi i ligjit duhet t’i ketë dy shtylla kryesore: e para prokurorët e zotë e të guximshëm dhe kompetentë sepse pa ata nuk mund të shpresojmë luftim të krimit dhe jo më të kemi sukses dhe dekriminalizimin e prokurimit”, tha Kurti.

Kreu i VV-së shprehu edhe habinë për ambasadën në Panama që sipas tij nuk është e nevojshme. Ai tha se ish-kryeparlamentarë dhe ish-presidentja e ish-presidenti kanë vizituar nga dy herë Panamanë e më vonë ka shpërthyer edhe skandali “Panama Papers” që sipas tij nëse do të kishte prokurorë të zotë do të mund të hetonte nëse këto vizita kanë ndonjë lidhje me këtë skandal.