Kurti viziton të strehuarit në Parkun Inovativ

Kurti viziton të strehuarit në Parkun Inovativ

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti është zotuar sot gjatë një vizite në Parkun Inovativ në Prizren, ku janë të vendosur rreth 500 persona të prekur nga tërmeti, se Kosova dhe populli i saj kurrë s’do ta lënë vetëm Shqipërinë.

Gjatë kësaj vizite, Kurti ishte i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe deputetët e kësaj partie Artan Abrashi, Yllza Hoti, Arbër Rexhaj, Salih Zyba.

Kurti tha se në ish-kampin ushtarak të KFOR-it në Prizren gjithçka funksionon me përpikëri dhe se së shpejti aty do të hapet edhe kuzhina për refugjatët.

“Ne pamë që gjithçka po funksiononte në përpikëri: mjekët po bënin kontrollet sistematike për trajtimin e infeksioneve të lehta, atyre kronike e deri te sëmundjet akute; psikologët të gatshëm për trajtimin e të traumatizuarve; vullnetarët ishin duke i seleksionuar të gjitha ndihmat, nga ato higjienike te veshmbathjet, nga dyshekët te batanijet. Të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar. Ndonëse çdo ditë ushqimi është duke u shtruar nga humanitarë zemërgjerë, në hapësirat e Kampit shpejt do të hapet edhe kuzhina ku do të gatuhet ushqim i freskët për refugjatët. Ish-hapësira e KFOR-it gjerman, sot Park Inovativ, edhe pse nuk mund ta ketë ngrohtësinë e shtëpisë, po ia del mbanë që mërzinë ta zbus. Në emër të organizatës sonë, i falënderojmë të gjithë për punën që po e bëjnë”, tha ai.

Për më tepër, Kurti tha se shteti i Kosovës, Qeveria dhe populli i saj kurrë nuk do ta lë vetëm Shqipërinë.

“Çfarë ndodhi nuk mund të zhbëhet, por jeta duhet të triumfojë. Këto ditë pikëllimin po e kthejmë në forcë. Ne jemi një komb dhe nuk jemi mysafir te njëri-tjetri, Kosova është shtëpia e juaj, sepse kombi shqiptar është streha jonë”, tha Kurti.

Që prej mëngjesit të martës Shqipëria është goditur nga disa tërmete, ku njëri prej tyre shkaktoi shumë dëme materiale në Durrës dhe Thumanë.Numri i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 52, ndërsa mbi 900 mbetën të plagosur.

Ndryshe, tërmetet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë paralajmëruar më herët se do të ndërtohen shtëpitë e të gjithë atyre që janë shkatërruar.