Kurti: Nesër në seancë do të shkojmë pa dakordimin për qeverinë

LVV-LDK në seancë pa marrëveshje

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka konfirmuar se nesër në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë do të shkojnë pa dakordimin për qeverinë.

Ai tha se marrëveshjes për programin qeverisës me LDK-në nuk kanë mundur t’ia bashkangjesin edhe atë për ndarjen e përgjegjësive.

“Kisha planifikuar që sot të takoj deputetët e pakicave e ta mbajmë edhe Mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Mirëpo, këto u pamundësuan nga refuzimi i mbrëmshëm i ofertës sime për koalicion qeverisës, duke na dërguar nesër në Kuvend të Republikës së Kosovës pa marrëveshje për qeverinë. Të dashur qytetarë të Kosovës, është obligim imi moral e politik, shtetëror e kombëtar, qytetar e njerëzor, që t’ju njoftoj se në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë do të shkojmë pa dakordimin për qeverinë. Marrëveshjes për programin qeverisës nuk kemi mundur t’ia bashkangjesim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive”, ka thënë Kurti.

Nesër mbahet seanca konstituive  Legjislaturës së shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Konform vendimit të presidentit, edhe kryesia e Kuvendit konfirmoi se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet prej orës 15:00. Në përbërjen e re parlamentare do të jenë të përfaqësuara 14 subjekte politike./21Media

Back to top button