Kurti njoftoi grupin e ri parlamentar për sfidat e koalicionit me LDK-në

U diskutua për procesin negociator për krijimin e qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar, në krye me Albin Kurtin. Siç njoftoi VV përmes një postimi, në mbledhje u diskutua edhe për procesin negociator për krijimin e qeverisë.

Po ashtu sipas VV-së, Kurti njoftoi deputetët për të arriturat dhe vështirësitë për krijimin e koalicionit me LDK-në.

“Nën kryesimin e kryetarit, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Me këtë rast u shpreh urimi i fitores të gjithë deputetëve si grupi më i madh parlamentar në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

Pjesë e diskutimit të mbledhjes ishte edhe procesi negociator për krijimin e qeverisë, me ç’rast kryetari Kurti i njoftoi deputetët me arritjet dhe sfidat për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.”, shkroi VV në faqen zyrtare në facebook.

Takimi ndërmjet kryetarit të VV-së, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës u mbajt dje, por pa marrëveshje. Udhëheqësit e të dyja partive e pranuan se kanë dallime, për të cilat thanë se në takimet e radhës do të tejkalohen./21Media

Back to top button