Kurti: Partitë në pushtet po e vjedhin Telekomin

Sipas Kurtit Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës humbi 85 milionë euro vitin e kaluar për shkak të keq-qeverisjes

Kryetari i Levizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se partitë në pushtet e kanë mbushur Telekomin e Kosovës me punëtorë pa nevojë, për të siguruar vota. Ndërsa, ka shtuar se si pasojë e privatizimit, po bën që pjesa më e madhe e territorit të mbetet ma rrymë. Kurti këto komente i bëri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku ka kritikuar qeverinë që sipas tij, po përton të merret me problemet e qytetarëve, siç janë bora, i ftohti e ndërprerjet e rrymës.

E problemet me rrymë, Kurti ka thënë se po vinë si pasojë e privatizimit të kompanive.

“Ka qenë pikërisht mendësia dhe ideologjia e privatizimit që i solli këto probleme kur pjesë të mëdha të territorit dhe popullsisë mbetën pa rrymë sepse kompania private që duhet të investojë në rrjetin e shpërndarjes nuk e bën këtë, por vetëm vjel të ardhura e fitime që i dërgon jashtë vendit”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu ka thënë se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës humbi 85 milionë euro vitin e kaluar për shkak të keq-qeverisjes.

“Për shkak të keqinvestimit i kemi humbur paratë me të cilat do të mund të ishin dyfishuar pagat e mësuesve dhe mjekëve. Pse ndodh kjo? Sigurisht për shkak të keqqeverisjes dhe drejtimit të gabuar politik”, ka thënë Kurti.

Ai është zotuar se me ardhjen e VV-së në pushtet, mësuesit, mjekët e punëtorët e administratave publike do të kenë paga meritore.

Kurti ka akuzuar partitë në pushtet se po e vjedhin Telekomin e Kosovës.

“Tash ata po përpiqen ta privatizojnë Telekomin e Kosovës, një ndërmarrje e cila vazhdimisht del me fitim po të mos ishte duke u vjedhur prej partive në pushtet e kontratave të dëmshme sikurse ajo me Zmobile”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përsëritur se synim i Vetëvendosjes do të vazhdojë të jetë edhe eliminimi i pabarazisë në vend.

Përndryshe, kjo është mbledhja e parë e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes për këtë vit.

Back to top button