Kurti pas kritikave nga Hoxhaj: Unë nuk premtova afate për viza

Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se samiti i fundit i Bashkimit Evropian ishte një samit i dështimit për Kosovën dhe Ballkanin.
Hoxhaj, në seancën plenari ka pasur kritika për Kurtin, duke thënë se ai dhe qeveria e tij të mos prodhojnë lajme, por politika, shkruan rtv21.tv
Deputeti ka kërkuar nga kryeministri që të gjitha institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare t’ju drejtohet me shkrim zyrtarisht se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave.
“Lajmet që ata i prodhojnë në Prishtinë nuk i lexon BE-ja. Tabela kryesore për të cilën Kosova duhet të luftojë është anëtarësimi në OKB”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërsa Kurti i është përgjigjur deputetit fillimisht duke e falënderuar për kritikën, dhe më pas ka thënë se është kryeministër që asnjëherë nuk ka bërë premtime në afate lidhur me heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kemi pasur shembuj në të kaluarën kur thuhej 15 muaj, 90 ditë, sivjet, vitin e ardhshëm, mua nuk më keni dëgjuar ashtu, sepse e dini që nuk varet prej nesh. Kriteret janë plotësuar, skepticizmi ishte i vendeve anëtare dhe jo i institucioneve të BE-së”, ka thënë Kurti./21Media

Back to top button