Kurti thotë se shpresa po rikthehet tek qytetarët

Kurti thotë se shpresa po rikthehet tek qytetarët

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti është deklaruar pas takimit me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Kurti bëri të ditur se temë e takimit mes tyre ishte situata politike në vend, gjendja e rëndë ekonomike dhe seanca e 22 gushtit, ku do të shpërbëhet Kuvendi.

Me 22 gusht dy grupet tona parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike”, shkroi Kurti në Facebook.

Ky ishte takimi i parë mes Kurtit dhe Mustafës, pasi ky i fundit u rizgjedh edhe për një mandat kryetar i LDK-së.

Edhe pse përflitet se këto dy parti do të bëjnë një koalicion parazgjedhor, asnjëri nga liderët nuk është deklaruar nëse kanë diskutuar në takim për këtë çështje. Ndonëse tërthorazi Kurti la të nënkuptohet se të dy partitë kanë vullnet për koalicion.

“Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët, për një të ardhme me drejtësi e përparim”, shkroi Kurti pas takimit me Mustafën.

Lideri i zgjedhur për herë të tretë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë kishte thënë se ai nuk e ka ndërmend të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër dhe se partia do të zgjedhë një person që e “bën më së miri këtë punë, dhe natyrisht që ka përkrahjen e plotë të LDK-së dhe të qytetarëve”

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, për RTV21 dje tha se me Vetëvendosjen kanë ndryshime substanciale tek çështje të ndryshme, si zhvillimi ekonomik, politikat sociale, arsim, politika shëndetësore etj. Ndërkaq theksoi se LDK-së i takon posti i kryeministrit./21Media