Kurti për targat: Nuk ka mënyrë tjetër pos implementimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel ka thënë se janë dy palë në vend, ku në njërën është Kosova demokratike dhe në tjetrën strukturat ilegale të Serbisë në veri.
“Mund të thuhet se janë dy palë, por nuk mund ta humbin busullën morale. Nuk mund të shmangim politikat e vendosura, duhet të ketë zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Na duhet mbështetja nga BE-ja, NATO, perëndimi demokratik për një vend demokratik si Kosova. E di që janë 4 shtete që nuk na kanë njohur, nuk është e lehtë, por gjithmonë do të insistoj për atë që është e drejtë dhe e nevojshme”, tha Kurti.
Kurti është pyetur nëse është e mundur tërheqja nga vendimi për targat. Ai theksoi se Kosova po kryen obligimin ligjor sipas të drejtës së saj.
Tutje Kurti shtoi se Serbia është pajtuar që nuk do prodhojnë tabela të tilla në Serbi.
“Vetë Serbia është pajtuar që që prej janarit 2018 nuk do prodhojnë tabela të tilla në Serbi dhe nuk do t’i detyrojnë serbët t’i përdorin. Katër vite më vonë po implementojmë diçka që është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet tona. Duke qenë në përputhje me zotimet e Serbisë dhe obligimet e tyre gjatë negociatave në Bruksel, pra nuk ka mënyrë tjetër dhe është në dobi të të gjithëve të bëjmë çdo gjë legjitime”, tha Kurti./21Media
 

Back to top button