Kurti: Me Afrimin e Fahriun, organizata rritej e aktivitetet shpeshtoheshin

Kurti: Me Afrimin e Fahriun, organizata rritej e aktivitetet shpeshtoheshin

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në tridhjetë vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, ka përkujtuar veprën e tyre kundër pushtetit serb. Ai po ashtu ka thënë se edhe tani janë duke u përseriur atdhetarë të njëjtë si Zhitia e Fazliu.

“Viti 1989 ishte vit i demonstratave të dendura e të fuqishme. Më 1 nëntor, Afrim Zhitia, asokohe sekretar organizativ i Lëvizjes, ilegal që prej dy muajsh, mban fjalim para demonstruesve. Të nesërmen, bashkë me veprimtarin e dalluar, Fahri Fazliun, vriten nga policia e Serbisë në Bregun e Diellit në Prishtinë. Me dhimbje e krenari i kujtojmë sot, me 2 nëntor, në 30 vjetorin e rënies së tyre. Me Afrimin e Fahriun, udhëheqja e Lëvizjes atëbotë nis e bëhet nga brenda, jo më prej jashtë vendit. Organizata rritet e aktivitetet shpeshtohen. Bëhet thirrje për sabotimin e mallrave të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi (që asokohe mbanin anën e Beogradit), si dhe minohen lartpërçuesit elektrik drejt Serbisë. Veprojnë njësitet e para guerile: dëshmorët Ali Ajeti dhe Hasan Ramadani të Çetës së Llapit armët i patën marrë nga Afrim Zhitia. Afrimi dhe Fahriu aq shumë i ngjajnë Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës për nga vendosmëria patri otike, trajektorja jetësore dhe rënia heroike. Gjersa vazhdon okupimi, edhe rezistenca vazhdon, me të tjerë veprimtarë të paepur, që duket se përsëriten, sepse populli është i njëjti”, ka shkruar ai në Facebook

Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut. Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në fshatin Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg. Kështu më 2 nëntor të dy, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit nga UDBA serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku bien heroikisht të dy atdhetarë./21Media