Kurti deklaroi se nëpërmjet teknologjisë synojnë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit

Kurti deklaroi se nëpërmjet teknologjisë synojnë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot pas fillimit të mësimit online u shpreh se shtëpitë duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët.

Ai përmes një postimi në facebook u kërkoi prindërve që t’i ulin fëmijët nga ora 11:15 çdo ditë.

“Filluam pra me mësimin online dhe përmes televizionit. Në RTK1 dhe RTK4, si dhe nga kompjuterët e lidhur me internetin, fëmijët filluan të ndjekin lëndët e tyre mësimore. Virusi Corona na ka mbyllur të gjithëve nëpër shtëpitë tona, dhe, ato duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët tanë. Nëpërmjet teknologjisë synojmë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit. Mësimdhënia duhet ta hapë imagjinatën e nxënësve që ata të mësojnë më mirë e të dinë më shumë. Prindërve u kërkojmë që t’i ulin fëmijët e tyre para televizorit çdo ditë nga ora 11:15.”, shkroi Kurti në facebook.

Kryeministri më tutje u shpreh që Qeveria do të kujdeset që të ketë energji në tërë vendin.

“Po e mbajmë e-mësimin që të mos i privojmë nxënësit nga shkolla. Por, ky është edhe një rast që të gjithë ne si shoqëri të marrim pjesë në arsim e edukim si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. Teksa 96% e amvisërive në Kosovë janë të lidhura në internet, si Qeveri do të kujdesemi edhe që të ketë energji elektrike në të gjithë territorin e Kosovës.”, shkroi më tutje Kurti.

Për shkak të situatës me koronavirus, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) prej sot fillon së zbatuari procesin mësimor online për klasën e 1-rë deri në të 5-të, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë prodhimi i materialit për klasën e 6-të deri në të 9-ën, dhe më vonë edhe për gjimnaze dhe shkolla profesionale./21Media