Kurti: Prania e NATO-s është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jostabil

Kurti: NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me Komandantin e KFOR-it Michele Risim, ka thënë se “prania e NATO-s në Kosovë është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jostabil dhe përderisa përballemi me një shtet që ka pretendime territoriale ndaj nesh”.

Kurti tutje ka thënë se NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse siç tha ai ne e kemi pritur me lule e me përqafime. “Nuk është e rastësishme që nga zyrtari i NATO-s unë e mora letërkëmbimin dhe jo nga Presidenti ynë. Çështja është pse Presidenti e bëri atë zotim mu në ditën kur edhe nënshkroi ‘Zajednicën’ me Daçiqin në Bruksel? Pse nuk e njoftoi askënd, dhe a veproi Presidenti në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën?”

Kurti ka thënë se ajo çfarë kanë bërë është publikimi i një letre e cila ishte mbajtur e fshehur nga publiku. “Me sa kam parë, askush nuk na ka kritikuar se përse e kemi bërë transparente një letër të mbajtur fshehtë, e cila nuk ka qenë dokument i klasifikuar, por kritikuan opinionin ligjor nga zyra ime se pse ka rekomanduar shkarkimin e presidentit. Ne jemi shoqëri e hapur që po ndërtojmë demokraci të qëndrueshme me punën e një qeverie progresive. Do të ketë dhe duhet të ketë debate e kritika e mospajtime çdoherë por duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Institucionet duhet të respektojnë e zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën”, ka shkruar Kurti në Facebook./21Media

Back to top button