"Prokuroria speciale po hesht"

“Prokuroria speciale po hesht”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka theksuar se gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë, jo vetëm përballë kombit tonë, por përballë gjithë njerëzimit.

Ai ka pyetur Prokurorinë Speciale pse ende nuk ka çuar para trupit gjykues masakruesit e popullit tonë.

“Gjashtë muaj më parë, me 30 maj, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke ia mundësuar sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë. U gëzuam kur u amandamentua ky ligj, sepse më në fund edhe Kosova po ndiqte shembullin e Kroacisë, duke fituar të drejtën për t’i përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë, e jo vetëm brenda kufijve tanë. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht, sepse janë ende gjallë të mbijetuarit e familjarët e viktimave. Por, prokuroria speciale po hesht. Pse nuk kanë nisur hetimet dhe akuzat? Pse nuk janë çuar ende përballë trupit gjykues masakruesit e popullit tonë? Pse nuk ka sot një konferencë të tyre për medie ku ata raportojnë publikisht për punën e tyre në këta gjashtë muaj? Gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë, jo vetëm përballë kombit tonë, por përballë gjithë njerëzimit. Prokurorët specialë nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë pasivë në lidhje me këtë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe, sot u takuan liderët e Vetëvendosjes dhe LDK-së. Por, as Albin Kurti, as Isa Mustafa nuk dhanë deklarata pas takimit. U mjaftuan me një kumtesë. Paralajmëruan marrëveshje përfundimisht të hënën./21Media