Kurti: Shko ti Hashim në Hagë

Kurti – Thaçit: Nuk është korrekte të marrësh meritat 20 vjet e përgjegjësinë asnjë ditë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti  përmes një shkrimi të gjatë i është drejtuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi duke i kërkuar atij që të shkojë në Gjykatën Speciale.

Kurti e bën përgjegjës Thaçin për formimin e Gjykatës Speciale, andaj sipas tij vet Thaçi duhet të shkojë atje .

“Arritjet dhe sukseset që Kosova i ka pasur falë sakrificave të popullit tonë e të UÇK-së, por edhe falë ndihmës së miqve ndërkombëtarë, u përpoqe t’ia përshkruash vetvetes. Por, kur erdhi puna për të mbajtur përgjegjësi, e mohove UÇK-në, e le në baltë popullin, dhe i tradhtove ata që e mbështetën tradicionalisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim.”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai tutje i ka thënë presidentit Thaçi se beson që ai nuk është fajtor për luftën, por për shumë gjëra që i ka bërë pas luftës.

“Mos e mbyt shoqërinë civile dhe mediet duke privilegjuar atë që na e la Stanishiqi trashëgim te dera, e i cili po rekruton e po promovon brezin e ardhshëm të bashkëpunëtorëve të rinj. Mjaft me mbështetjen dhe avancimin e servilëve dhe mediokërve, të argatëve e shërbëtorëve të një mijë zotërinjve. Mjaft me përkrahjen e tregtarëve të flamujve. Shko Hashim.
Po pra, shko Hashim. Në Hagë thuaje fjalën tënde me argumente e fakte, në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Të takon. Je historiani që ishe në luftë. Bëhu presidenti që hyn në histori. Shko Hashim.

Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti.”, ka shkruar ndër tjerash Kurti në Facebook./21Media

Back to top button