Kurti në konferencë për media

Kurti në konferencë për media

“Unë si kryetar i VV dhe si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës e shpallë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.”, kështu nisi fjalimin e tij kandidati për kryeministër nga ana e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kurti deklaroi se kanë punuar shumë, janë angazhuar gjatë, mirëpo “ia ka vlejtur për popullin tonë të dashur, e kemi konsideruar obligim e detyrë tonën.”

Kurti theksoi se Qeveria e re duhet të kompensojë një kohë të gjatë të humbur dhe mundësitë e quara dëm.

“Sonte festojmë në sheshin “Skënderbeu”, nga nesër fillojnë përgatitjet për formimin e Qeverisë së re, që do ta kthejë Kosovën në binarët e demokracisë.”, deklaroi Kurti.

Ai falënderoi qytetarët e Kosovës që ushtruan të drejtën e tyre demokratike për votë të lirë. Falënderoi gjithashtu edhe aktivistët e Vetëvendosjes nga qendrat e tyre në mërgatë që kanë punuar e udhëtuar në mënyrë që të kurorëzojnë këtë fitore,duke theksuar se në të ardhmen do t’ua mundësojmë votimin nëpër ambasada mërgatës sonë.

“Qysh nesër do të vendosi kontaktet me LDK-në në mënyrë që me subjektin që ishim në opozitë të bëhemi Qeveri, kur opozita bëhet Qeveri kurorëzohet ndryshimi. “, ka deklaruar Kurti, duke lënë të kuptohet që vetëm LDK është pjesë e planeve të tyre për koalicion.

Kurti shtoi se breza e gjenerata do ta kujtojnë këtë ditë si festë të demokracisë, kur filloi çlirimi i shtetit prej uzurpatorëve dhe atyre që kapën shtetin, shkruan rtv21.tv.

“Ne si Qeveri e ardhshme do ta kurorëzojmë këtë shansë të ofruar nga populli ynë.”, tha Kurti.

Dialogu ka qenë një sfidë e madhe deri më tani sipas Kurtit, pasi ka qenë i papërgatitur, por thotë se kjo ndryshon tash e tutje.

“Unë e marr përgjegjësinë që më takon ta udhëheqë këtë dialog, i cili nuk do të jetë në dëm të Kosovës.”, tha Kurti.

“Ne duam që mbi 50 marrëveshje të nënshkruara me Shqipërinë të mos mbesin tekst në letër, por t’i zbatojmë dhe të avancojmë krijimin e institucioneve të përbashkëta, pasi jemi dy shtete por një popull.”, deklaroi Kurti në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërinë.

Për koalicionet e mundshme, Kurti deklaroi se ata nuk bëjnë gabime në hapa.

“Me LDK-në kemi bashkërendim, më vjen keq që nuk realizuam koalicion parazgjedhor, por tani ua shtrij dorën e bashkëpunimit si kryeministër i ri i Kosovës.”, përfundoi Kurti./21Media