Kurti: Tahiri kishte paralajmëruar Mogherinin që Serbia synonte këmbimin e territoreve

Kurti: Aventura personale e presidentit të Kosovës nuk është edhe projekt personal. Ky projekt vjen nga Serbia e Rusia

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka publikuar një pjesë të letrës, që ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri ia kishte dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit.

Në letrën e Tahirit dërguar Mogherinit shkruhet se Serbia u përpoq të promovonte idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve. Andaj, Kurti shprehet se “projekti i Thaçit” vjen nga veri-lindja dhe është në kontrast me aleancën e veri-perëndimit, NATO-n.

Znj. Tahiri e patëm kundërshtuar e kritikuar me të drejtë përgjatë dialogut 2011-2017 me Serbinë. Mund të jetë vetëm më keq sesa që e thotë ajo në këtë letër që sot i mbushi një vit e gjysmë. Aventura personale e presidentit të Kosovës gjithsesi nuk është edhe projekt personal. Ky projekt vjen nga Serbia e Rusia, pra nga veri-lindja, në kontrast me aleancën e veri-perëndimit, NATO-n.

Në letrën e saj dërguar znj. Mogherini e që mban datën 6 korrik 2017, ish ministrja pa portofol dhe ish kryenegociatorja e Kosovës, znj. Edita Tahiri, ndër të tjera shkruan edhe këtë: “Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm, të cilët kundërshtohen nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik.””, ka shkruar Kurti në facebook.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në përfundim të vitit 2018 ka deklaruar se viti 2019 pritet të jetë viti që sjell marrëveshjen me Serbinë./21Media

Back to top button