Kurti ka deklaruar se krimet më të rënda të luftës janë dhunimet seksuale

Kurti ka deklaruar se krimet më të rënda të luftës janë dhunimet seksuale

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë të këtij subjekti politik ka takuar viktimën e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, Vasfije Krasniqi Goodman. Kurti ka deklaruar se një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë janë dhunimet seksuale të kryera nga forcat e Serbisë.

“Ky krim shpërfaq faktin se Serbia nuk mjaftohej me vdekjen e shqiptarëve. Përçmimi i tyre ndaj nesh nuk kishte të sosur. Aq i rëndë ka qenë ky përçmim sa institucionet e vendit dhe shoqëria jonë e pasluftës nuk ia kanë të dalë të kenë guximin të përballen hapur me këtë dhunë ndaj vajzave dhe grave”, ka thënë ai.

Ndërkohë, në këtë takim është theksuar edhe një herë shqetësimi që drejtësia nuk ka dënuar asnjë për rastet e dhunës seksuale. Aty u tha se institucionet e vendit duhet ta marrin guximin dhe ta kenë vullnetin për t’u angazhuar për t’i vendosur kriminelët përballë drejtësisë.

Lëvizja Vetëvendosje mbështet misionin dhe iniciativën e Vasfijes për të sjellë drejtësi.

E mbijetuara e dhunës seksuale, dhe ajo që vitin e kaluar rrëfeu publikisht krimin e dhunimit seksual nga forcat serbe, Vasfije Krasniqi Goodman ka promovuar edhe shoqatën ‘Drejtësi për të Gjithë’ e cila është themeluar me iniciativë të saj. Ajo ka bërë thirrje që të mos ketë negociata pa u kërkuar drejtësi për gjithë këto viktima. /21Media