Kurti shprehu falënderim për ndihmën që Franca po i jep Kosovës

Kurti shprehu falënderim për ndihmën që Franca po i jep Kosovës

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti mbrëmë takoi tre këshilltarë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron-it.

Kurti mbrëmë në Élysée takoi këshilltarin për Evropë dhe G20, Clément Beaune, lëshilltarin zëvendës-përgjegjës për Evropë, Alexandre Adam, si dhe këshilltarin për Çështje Startegjike, Etienne de Gonneville.

Kurti sot bëri të ditur se me këshilltarët e presidentit francez foli për avancimin e marrëdhënieve të dy shteteve.

“Më uruan për fitoren në zgjedhje, i falenderova për përkrahjen dhe ndihmën e Francës për Republikën e Kosovës dhe biseduam për avansimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve tona. Shpjegova ndryshimin e madh politik në Kosovë me zgjedhjet e 6 tetorit, për synimet tona që këtë vullnet të qytetarëve ta bëjmë reformë të drejtësisë, zhvillim ekonomik e progres shoqëror. Diskutuam edhe për situatën politike në Ballkan, nevojën për raporte të mira fqinjësore midis shteteve dhe demokratizimin e tyre të brendshëm.”, shkroi Kurti në facebook.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të enjten shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit. Partia me më së shumti vota është Lëvizja Vetëvendosje, e dyta LDK, e treta PDK, më pas rënditet koalicioni AAK-PSD dhe Lista Serbe. Koalicioni, Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor./21Media