Kurti takon sekretarin e NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takojë në Bruksel sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg pak kohë pas takimit të këtij të fundit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Takimi në selinë e NATO-s bëhet pas paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës dhe pas bisedës që sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka zhvilluar pak javë më parë me liderët e të dyja vendeve, me qëllim të uljes së tensioneve.
Stolenteberg ka përcuar porosinë se forca paqeruajtëse e NATO-s është e gatshme “të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti” dhe iu ka bërë thirrje të dyja palëve që të “angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog”.
Thirrjet u bënë pas një periudhe tensionimi në veriun e Kosovës, kur serbët lokalë vendosën barrikada në afërsit të pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, në kundërshtim të një vendimi të autoriteteve në Prishtinë për të vënë masën e reciprocitetit në përdorimin e targave të automjeteve dhe të dokumenteve të lëshuara nga Republika e Serbisë.
Zbatimi i masës së reciprocitettit i Prishtinës zyrtare u shty për një muaj, deri më 1 shtator, me kërkesë të SHBA-së dhe të BE-së. Një marrëveshje për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk u arrit edhe pas gjashtë muajsh negociiomesh, që prej tetorit të vitit të kaluar kur nisën përplasjet e para mbi masën e reciprocitetit.
Takimi i kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, zhvillohet vetëm një ditë përpara takimit të përbashkët me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josip Borell dhe ndërmjetësin Miroslav Lajçak, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Rikthimi në dialog pason një periudhë të vështirë në këtë process pavarësisht një marrëveshjeje për energjinë të arritur pak javë më parë, por që sërish ka hasur në problem të zbatimit.
Tensionet e rritura ndërmjet dy palëve dhe deklaratat nxitëse shtynë BE-në dhe autoritetet ndërkombëtare t’u bëjnë thirrje palëve që të rifillojnë dialogun me qëllim të përafrimit të qëndrimeve.
Megjithëse, vlerësohet se takimi mund të mos ketë shumë suksese, megjithatë është paralajmëruar se një marrëveshje për personat e pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovës, mund të arrihet duke i hapur rrugën zgjidhjes së kësaj çështjeje.
Në Kosovë janë edhe mbi 1600 persona që konsiderohen si të pagjetur. Dialogu ndermjet Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në vitin e njëmbëdhjetë me një numër marrëveshjesh të arritura brenda vitesh.
SHBA dhe vendet e BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovë kanë kërkuar përmbylljen e dialogut me një angazhim “konstruktiv” të palëve që do të çonte drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke.
Thirrjet për përmbylljen e peocesit të dialogut janë shtuar në veçanti pas invadimit rus në Ukrainë./21Media

Back to top button