Lideri i Vetëvendosjes ka dënuar sulmin që është bërë në Zelandën e Re

Lideri i Vetëvendosjes ka dënuar sulmin që është bërë në Zelandën e Re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, me anë të një postimi në Facebook, ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe Zelandës së Re.

Kurti ka deklaruar se terroristët nuk janë kurrë as “tanët” as “të tyret”, por një fenomen i dënueshëm i cili duhet trajtuar në shkaqet e tij më të thella, për t’u parandaluar. E sa për viktimat, kudo në botë, ata janë të gjithë tanët, pavarësisht bindjeve, besimeve, prirjeve, dukjes e përkatësive të tjera që kanë, shkruan rtv21.tv.

“Shumë terroristë të të gjitha anëve thonë se frymëzohen nga luftëtarë mesjetarë, por kjo nuk e bën mesjetën terroriste, dhe absolutisht nuk bën të pranohet frymëzimi i tyre si objektiv. E sa i përket frymëzimeve nga kohët moderne, kënga çetnike për Karaxhiqin që dëgjonte njëri nga terroristët, veçse e vërteton edhe një herë se terroristët marrin frymëzim nga gjenocidet.”, ka shkruar Kurti.

Sa i përket fjalëve se sulmuesi kishte “frymëzim ballkanik”, Kurti shkruan se botës duhet t’i tregojmë një shembull të mirë, atë të shqiptarëve, që e kanë themeluar identitetin e tyre te pranimi dhe përfshirja përmes bashkëjetesës e bashkëpunimit e feve të ndryshme.

“Nëse duan të marrin frymëzim nga Ballkani, le të marrin këtë, e jo atë të përbindshave gjenocidalë.”, përfundon Kurti.

Nga sulmi i sotëm në Zelandë të Re mbetën të vdekur 49 persona derisa 20 kanë mbetur të plagosur në dy sulme terroriste në dy xhami të Zelandës së Re, gjatë faljes së xhumasë./21Media