Kurti thërret të tregojmë se nuk e durojmë abuzimin e të dobëtit

Kurti e përkrah protestën qytetare

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se rasti i abuzimit dhe dhunimit seksual të së miturës nga Drenasi, e ka tronditur.

“Abuzimi i saj, fillimisht prej mësuesit e më pas prej policit ku kishte shkuar të gjente mbrojtje, të trishton. Kjo është gjendja ku e kanë prurë shtetin dhe shoqërinë njerëzit që e kanë bërë njësh detyrën zyrtare e profesionale me krimin e kthyer në rutinë të përditshme, njerëzit që bëjnë çfarë të tjerët as s’e imagjinojnë dot vetëm pse munden, njerëzit që e dinë se ata nuk i ndjek ligji kurse viktimat e tyre nuk do t’i mbrojë ligji”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se kulturën e pandëshkueshmërisë, kulturën e abuzimit me pushtetin, e kemi peshqesh nga një lloj i caktuar politikanësh që kanë qeverisur deri më sot.

“Ne duhet të tregojmë se shumica jonë nuk e duron abuzimin e atij që ndodhet në pozitën e të dobëtit. Shumica e mësuesve, shumica e policëve, shumica e mjekëve, shumica e qytetarëve, duan dhe do të solidarizohen me më të dobëtit. Prandaj e përkrah protestën qytetare, e më vjen keq që nuk jam aty, sepse gjendem në një vizitë zyrtare në Seul të Koresë së Jugut. Kulturën e pandëshkueshmërisë, kulturën e abuzimit me pushtetin, e kemi peshqesh nga një lloj i caktuar politikanësh që kanë qeverisur deri më sot. Pushteti i tyre krijon lejen e abuzimit me të dobëtin, të varfrin, gruan, vartësin, minoritarin, sipas modelit mujshar të pushtetit të vjetër”,  ka shkruar Kurti në Facebook.

Ditën e martë në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë./21Media

Back to top button