Sipas Kurtit pavarësia e ShBA- ve ka shërbyer si frymëzim

Sipas Kurtit pavarësia e ShBA- ve ka shërbyer si frymëzim

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar popullin amerikan në ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në postimin e tij në Facebook thekson: “Pavarësimi i ShBA-ve ndryshoi politikën globale në betejën anti-koloniale, ku perandorisë iu kundërvu pavarësia dhe në betejën për demokraci, ku monarkisë iu kundërvu republika”.

Kurti ndër të tjerash ka thënë se Kosova duhet të zgjerojë partneritetin me shtetin Amerikën.

“Në 4 Korrik përkujtohet pavarësimi i amerikanëve prej sundimit kolonial e imperial, pavarësim që u arrit përmes luftës për liri dhe sakrificave e idealeve të shumë njerëzve me në krye Xhorxh Uashingtonin”, ka shkruar ai.

Albin Kurti tha se si e tillë pavarësia e ShBA-ve ka shërbyer si frymëzim për lëvizjet anti-koloniale e republikane kudo në botë.

“Me presidentin Uillson i cili artikuloi doktrinën për vetëvendosjen e popujve, në fillim të shekullit XX, ShBA vendosi t’i shtrijë universalisht vlerat e pavarësisë e të demokracisë. Ishte Uillsoni ai që e bëri të qartë se ShBA nuk do t’i njihte traktatet e fshehta, me të cilët shtetet e fuqishme copëtonin popujt e vegjël, duke shpëtuar kështu ekzistencën e Shqipërisë. E mbi të njëjtin parim, presidenti Klinton e më pas presidenti Bush i riu, ndihmuan betejën për çlirim e pavarësi të shqiptarëve në Kosovë”, ka shkruar më tutje Kurti.

Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 241-vjetorin e Ditës së Pavarësisë./21Media