Kurti: Vuçiq do të shohë se çka jep Kosova jo vetëm fillimisht, por paraprakisht

Kurti ka kujtuar deklaratën e presidentit Vuçiq

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dëshiron të shohë se çka jep Kosova jo vetëm fillimisht, por edhe paraprakisht në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Në një postim në Facebook, Kurti ka kujtuar deklaratën e presidentit Vuçiq.

“Para një muaji, të enjten e 8 nëntorit 2018, pas takimit me Thaçin në Bruksel, Vuçiq ka deklaruar: “Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për shumë gjëra, por duhet të shohim së pari se çka është ajo që serbët mund të fitojnë. Dhe çka do të fitojë Serbia. E vetëm pastaj kur të shohim këtë mund të bisedojmë për gjithçka.” Kjo sigurisht se shpjegon gjithçka. Prandaj, Thaçi fliste për kompromis të dhimbshëm ende pa nisur bisedimet. Vuçiq ka kërkuar kështu. Ai don të shohë se çka jep Kosova jo vetëm fillimisht, por paraprakisht!”, ka shkruar Kurti.

Në emisionin “Argument Plus” që transmetohet në RTV21, Kurti ka thënë se politikanët të cilët bashkëbisedojnë me Serbinë, po krijojnë një iluzion se Serbia e sotme është krejtësisht ndryshe nga ajo e Sllobodan Millosheviqit, e kjo nuk është e vërtetë. Sipas tij, Serbisë i nevojitet dialogu me Kosovën pasi sa më shpejt dëshiron që të integrohet në Evropë./21Media

Back to top button