Kurti: Zyrtarët e Lekajt nuk morën autorizim nga Qeveria

Kurti: Procesi duhej të ishte transparent

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar për marrëveshjet e nënshkruara sot në Mynih, mes Kosovës e Serbisë.

Ai tha se dy marrëveshjet janë nënshkruar nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë.

Këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare. Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së“, tha Kurti, duke shtuar se hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e leverdishme sesa ajo për Merdare.

Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet“, përfundoi Kurti./21Media

Back to top button