Kusari-Lila: Presidenti nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për këtë lajm të rremë

Kusari-Lila: Kosova e vogël me shumë “mbretër” duhet të kthehet në Kosovën funksionale

Deputetja, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se “mungesa e koordinimit dhe “garimi” me njëri – tjetrin për më shumë se një dekadë në Kosovë gjithmonë e ka dëmtuar Kosovën dhe kurrë nuk i ka sjellë ndonjë të mirë vendit”. Ajo tutje ka thënë se rasti i fundit i (mos)njohjes nga Xhamajka nuk është asgjë tjetër, pos një teke e Presidentit të vendit të ngutet dhe tregojë suksesin e veprimeve të tij në shërbimin e jashtëm, në ditën kur Ministri i Jashtëm shkarkoi konsujt e emëruar jashtëligjshëm në këtë dikaster.

“Për fat të keq për Kosovën vetëm brenda pak orëve, u demantua Presidenti, ndërsa e tërë Kosova u bë pre e edhe një “fake news”. Presidenti nuk i bëri nder asapak Ambasadores Çitaku, në fakt, ai e ekspozoi atë keqas para strukturës së re politike në Kosovë. Presidenti nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për këtë lajm të rremë. Ai duhet të marrë këtë “mësim” dhe ta kuptojë se çfarë mund të ndodhë me vendin nëse e përdor të njejtën politikë në vazhdimësi edhe në dialogun me Serbinë dhe komunikimin paralel me partnerë tjerë ndërkombtarë. Kosova e vogël me shumë “mbretër” duhet të kthehet në Kosovën funkcionale me Qeverinë dhe institucionet e përgjegjshme ndaj obligimeve që i kanë për qytetarët e tyre”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

Ndryshe, Ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina Smith reagoi mëngjesin e sotëm në Twitter duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën./21Media

Back to top button