Kusari-Lila kritikon Qeverinë

Kusari-Lila kritikon Qeverinë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pas sulmit terrorist të së premtës  në dy xhami të Zelandës së Re ku kanë mbetur të vdekur 50 persona dhe dhjetëra persona janë lënduar.

Me anë të një postimi në Facebook, Kusari sot ka drejtuar disa kritika për Qeverinë, e cila sipas saj nuk bëri asgjë për këtp viktima, as lutje, as namaz e as meshë.

Ndër të tjera, deputetja e Kuvendit të Kosovës është shprehur se ky sulm nga Kosova është dënuar vetëm përmes rrjeteve sociale, duke e krahasuar me shtetet tjera të botës.

“A u frikësuam prej dikujt se këta njerëz të pafajshëm prej 3 vjeq deri ne 71 vjeq u vranë në xhami? A nuk na bëri përshtypje se ishin shumica migrantë të Lindjes së Mesme? Apo nuk e morrëm mesazhin prej dikujt të “fortë” se edhe Kosova duhet të lutet, të mbaj namaz e meshë për ta?! Unë sot turpërohem sa pa identitet dhe sa frikacak jemi. Unë sot skuqem sa shpejt kemi harruar si është të jesh në kërkim të lirisë dhe sa e bukur është ndjenja kur dikush ta hap derën dhe të ofron siguri”, ka shkruar Mimoza në Facebook.

Në fund, Kusari ka shkruar se nga dita kur ka ndodhur kjo tragjedi, ajo lutet jo vetëm për shpirtin e të vrarëve, por edhe për të gjallët që sipas saj, e harruam vlerën e jetës, vlerën e lirisë dhe të bashkëndjenjen me viktimën, pa marrë parasysh a janë musliman, të krishterë, hebrej, të bardhë, të zi, të verdhë apo të kaftë.

Personi i akuzuar për sulmet në xhami të premtën në Zelandën e Re, besohet se ka vepruar vetëm, kështu kanë njoftuar autoritetet e policisë. Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç ka transmetuar drejtpërdrejt sulmin në “Facebook”. Ndërsa, tre të arrestuarit e tjerë nuk besohet të jenë përfshirë, tha komisioneri i policisë Mike Bush.

Pesëdhjetë persona janë vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur në atë që është sulmi më i keq i Zelandës së Re. Duke folur për gazetarët, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka thënë se takimet e kabinetit do të zhvilloheshin të hënën për të diskutuar çështjen, duke përfshirë edhe ligjin për armët. “Do të ketë ndryshime në ligjet tona të armëve”, tha ajo./21Media