Sipas Kusarit ky ka qenë vullneti i shumicës

Sipas Kusarit ky ka qenë vullneti i shumicës

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, i është bashkuar listës për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, vetëm pak kohë pas dështoi përpjekja për një koalicion parazgjedhor.

Kusari tha se vazhdojnë të kenë dallime me Lëvizjen Vetëvendojse, por janë të fokusuar në atë se çfarë i bashkon për të sjellë reforma dhe ndryshime që i duhen vendit.

“Ne na bashkon ideja e ndryshimit dhe reformës së shumëpritur shtetërore. Na bashkon përpjekja për rend dhe ligj dhe shtet ligjor i cili trajton qytetarët njëjtë pa marrë parasysh shtresën dhe kategorinë që përkasin. Ne na bashkon ideja e shtetit të Kosovës, vend i zhvilluar me agjendë dhe program zhvillimor dhe me status të barabartë me shtetet tjera në rajon dhe në Bashkimin Evropian. Bashkë do të rrugëtojmë në këto zgjedhje dhe bashkë do të rrugëtojmë në etapën e ndryshimit të mirëfilltë për Kosovën tonë”, tha Kusari.

Alternativa do të përfaqësohet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje edhe me nënkryetarin e saj, Reshat Nurboja. Kusari tha se ky ka qenë vullneti i shumicës së anëtarëve të Këshillit Drejtues, të cilët e mbështeten dhe inkurajuan këtë bashkëpunim.

“Për përfshirje në listë patëm edhe mundësi tjera, por, orientimi ynë ishte dhe mbetet në ngritjen e sinergjisë me partitë opozitare të deritashme për të realizuar ndryshimin e shumëpritur për Kosovën”, tha ajo.

Ish-deputetja Kusari-Lila tha se ndryshimi nuk është pa sfida dhe Alternativa si subjekt relativisht i ri dhe me orientim të qartë liberal-demokrat, për dy vite në Kuvendin e Kosovës, ka prezantuar domosdoshmërinë e ndryshimeve përmbajtësore në sistemin tonë edhe pse sipas saj ka paguar një çmim siç është largimi i Ilir Dedës nga partia.