Shterjev: Së pari të na dorëzojnë raport, më pas vendosim

Shterjev: Së pari të na dorëzojnë raport, më pas vendosim

Kush do ta zëvendësojë Katica Janevën pasi që dje iu shqiptua masë paraburgimi prej 30 ditëve, si e dyshuar në “Reket”. Shefja e Prokurorisë për Përndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Villma Ruskoska, që dje paralajmëroi se gjatë ditës së sotme do të dorëzojë kërkesë deri te Këshilli i Prokurorëve Publik që të mbajë seancë ku do të emërohet zëvendësi i Janevës.

“Se çka do të vendosë Këshilli me të vërtetë nuk mund të them dhe nuk mund të di. Unë duhet ta njoftoj, kurse çka do të bëjnë ata me të vërtetë nuk mund ta di”, theksoi Villma Ruskoska nga Prokuroria për Krime të Rënda.

TV21 kontaktoi kryetarin e Këshillit të Prokurorëve Publik, Kole Shterjev, që të pyesim se a e kanë marrë kërkesën e Ruskoskës që Këshilli të emërojë zëvendës të kryeprokurores speciale, ai shkurt u përgjigj se kjo nuk zhvillohet ashtu dhe se gjatë ditës së sotme do të dërgojnë kërkesë që deri te ata të dërgohet raport, e më pas do të ndërmarrin hapat e ardhshëm.

Prokurorja Fatime Fetai, deklaroi se rasti me Janevën nuk duhet të njollosë gjithë institucionin dhe se ata vazhdojnë me punë.

“Përgjegjësia e mundshme individuale penale e njërit prej prokurorëve në PPS nuk guxon të jetë arsyetim për ta harruar tërë krimin që është bërë në vendin tonë gjatë periudhës së kaluar dhe ta ndërpresim luftën tonë. Ekipi i PPS-së tërësisht i është kushtuar luftës për drejtësi dhe ne vazhdojmë me punën tonë – përfaqësimi i lëndëve në sallën gjyqësore”, u shpreh Fatime Fetai prokurore në Prokurorinë Publike Speciale.

Në lidhje me zëvendësimin e Janevës u prononcua edhe Antonio Milloshovski, i cili në profilin e tij të fejsbukut shkroi se Këshilli i Prokurorëve Publik nuk ka kompetencë që të emërojë zëvendës të Katica Janevës, ndërsa deklaratën e djeshme të Jovevskit, i cili tha se Këshilli i Prokurorëve duhet të caktojë kush do ta zëvendësojë Janevën, e quajti të pabazë.

“Sipas Nenit 18 Paragrafi 4 i Ligjit për Prokurori Publike, Këshilli i Prokurorëve Publikë ka kompetenca vetëm të emërojë u.d. prokuror publik në Republikën e Maqedonisë deri në zgjedhjet e prokurorit të ri, e jo të emërojë ushtrues detyre në prokurori të tjera, e aq më pak të emërojë u.d. në Prokurorinë Publike Speciale”, tha Antonio Milloshoski deputet i VMRO-DPMNE-së.

Jovevski në konferencën e djeshme për media, i pyetur se kush do të zëvendësojë Janevën në të ardhmen, për shkak se në PPS duhet të ketë dikush që do të nënshkruaj dhe miratojë gjithçka që është e nevojshme për funksionim të kësaj Prokurorie, ai tha se Këshilli i Prokurorëve Publik duhet të konstatojë gjendjen në PPS dhe të emërojë ushtrues detyre Prokuror Publik nga radhët e PPS-së./21Media