Kush e ka fshehur numrin e të punësuarve?

Mançevski para dy ditëve informoi se ekzistojnë sistematizime joaktive

Ndërmarrje publike, firma shtetërore, ministri, agjenci, spitale, janë vetëm një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë që nuk i kanë vendosur të dhënat në regjistër për numrin e të punësuarve. Në grupin e institucioneve që kanë marrë miratim për sistematizim nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, e që nuk i kanë evidentuar të dhënat për të punësuarit e tyre janë Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuele, Agjencia për Komunikime Elektronike, Prokuroria Publike e RM, Rrugët Shtetërore, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Avokati i Popullit, Teatri Popullor Maqedonas dhe institucione të tjera. Përveç këtyre, institucionet që nuk kanë kërkuar miratim nga ministria kompetente dhe nuk kanë bërë evidentimin e të dhënave në Regjistër janë Gjykata e Apelit Shkup, Gjykata e Lartë, Ujësjellësi dhe Kanalizimi, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë.

Për blerjen e këtij regjistri, shteti shpenzoi 2 milionë euro. Ai ka për qëllim evidentimin e numrit të të punësuarve në institucionet shtetërore. Të dhënat e ministrisë kompetente tregojnë se një pjesë e madhe e institucioneve e kanë bojkotuar këtë regjistër.

TV21 kërkoi qëndrim nga pjesa më e madhe e institucioneve, por na u përgjigjën vetëm nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.

“Në regjistrin për të punësuarit në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale janë vendosur vetëm të dhënat bazike për të punësuarit (emri, mbiemri, titulli, vendi i punës, detyrat e punës, në pajtim me rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës) ndërsa vijon vendosja edhe e të dhënave të tjera”, nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

“Për shkak të ndryshimeve të shpeshta të drejtorëve të Drejtorisë për të Ardhura Publike gjatë dy viteve të kaluara, është shtyrë e gjithë procedura për sjelljen e akteve të reja për organizim të brendshëm dhe për sistematizimin e DAP-it, me ç‘rast të njëjtat kanë hyrë në fuqi nga data 01.01.2017, ndërsa me lëshimin e vendimeve dhe marrëveshjeve të reja, sistematizimi i të punësuarve ka përfunduar në qershor të vitit 2017”, nga DAP.

Ministri Mançevski para dy ditëve informoi se ekzistojnë sistematizime joaktive, marrëveshje të paevidencuara të të punësuarve, si dhe mungesë dhe joazhurnim i të dhënave për të punësuarit në administratën shtetërore.

“Për shkak të këtyre mungesave, Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor dje i dorëzoi të dhënat për të punësuarit në sektorin publik që nuk janë vendosur në Regjistër sipas procedurës së paraparë me ligj. Të dhënat janë marrë si rezultat i kryqëzimit të bazave të të dhënave nga disa institucione”, u shpreh Damjan Mançevski, Ministër MSHIA.

Numri i punëtorëve në administratë ishte një nga misteret më të mëdha gjatë kohës së qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Kritika më të mëdha pati për rreth 2 mijë personat që marrin pagë shtetërore, duke qëndruar në shtëpi. Numrin prej 130 mijë të punësuar në institucionet shtetërore dhe ato publike, vitin e kaluar e publikoi ministrja Marta Arsovska Tomovska. Sipas regjistrit, tani ky numër nuk përputhet me gjetjet e ministrit të ri Mençevski.

Përndryshe, në Maqedoni ka 1302 institucione shtetërore, 918 institucione i kanë vendosur të dhënat, 150 institucioneve u janë miratuar sistematizimet nga ministria, por ato ende nuk janë aktive, gjegjësisht nuk i kanë vendosur të dhënat, ndërsa 197 institucione nuk kanë kërkuar pajtim për sistematizimin e tyre dhe për ta nuk ka asnjë të dhënë./21Media

Back to top button