Kush po i nxjerrë dokumentet nga specialja?

Antonio Milloshoski pohon se dokumentet që mbajnë vulën e PPS që i nxorri dje në facebook i ka marrë nga një “denoncues” që punon në këtë prokurori

E nga ana tjetër, Katica Janeva thotë se nuk ka frikë se punonjës të saj mund të jenë të përfshirë në zbulimin e dokumenteve, të cilat i janë drejtuar disa institucioneve shtetërore. Ajo ekskluzivisht për TV21 theksoi se janë hapur numër i madh i procedurave parahetimore kundër personave fizikë dhe juridikë, dhe se nuk dyshon se brenda institucionit të tyre ka njerëz që mund ti nxjerrin dokumentet.

“Ne po zhvillojnë procedura parahetimore për kriminalitet financiar kundër disa personave fizikë dhe juridikë. Kjo është normale dhe këtë e kemi thënë gjatë gjithë mandatit tonë. A ka njerëz në mesin tonë në PPS që zbulon informacione? Jo, për këtë nuk frikohem. Ne punojmë në mënyrë transparente dhe çdo qytetar është i njoftuar me punën tonë në Republikën e Maqedonisë”, tha Janeva.

Burime nga kjo prokurori pohojnë se deri tek disa institucione janë dërguar mbase një mijë kërkesa për informacione në lidhje me procedurat parahetimore që mbahen sekret.

Milloshoski i cili dje në profilin e tij në facebook publikoi disa dokumente të lëshuara nga PPS, për TV21 thotë se nuk do ta zbulojë identitetin e personit që ia ka besuar dokumentet.

“Dokumentet i kam marrë nga një i punësuar në PPS i cili është “denoncues” dhe i cili konsideroj se si i tillë duhet të jetë i mbrojtur. Ai është patriot dhe njeri që nuk pajtohet me keqpërdorimin dhe punën joprofesionale të PPS-së. Do të përpiqem që identiteti i tij të mbetet sekret në mënyrë që ai të mos ekspozohet ndaj asnjë rreziku”, tha Milloshoski.

Avokatët që i konsultuam thonë se rrjedhja e informacioneve paraqet shkelje të sekretit të procedurës dhe paraqet edhe një dëshmi se gjyqësori dhe aparati shtetëror vazhdojnë me obstruksione ndaj PPS-së.

“Kjo është edhe një provë se diçka vërtet nuk është në rregull me gjyqësorin tonë por edhe me institucionet të cilat fare nuk e respektojnë ligjin. Deri tani bënin obstruksione duke mos vepruar ndaj urdhrave dhe kërkesave të Prokurorisë Speciale, ndërsa tani, edhe ato kërkesa që u mbërrijnë, duket se rrjedhin në publik dhe dorëzohen në mënyrë të paligjshme”, tha avokati Zvonko Davidoviq.

“Personi apo institucioni që këto dokumente të procedurës parahetimore ia ka dorëzuar Antonio Milloshoskit apo ndonjë personi të tretë, i cili s’ka të drejtë ta shohë përmbajtjen e tyre, rrezikon të ndiqet penalisht për cenimin e sekretit të procedurës. Kjo vepër është e dënueshme sipas nenit 369 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë”, tha Janaki Mitrovski, avokat.

Sipas njohësve të materies juridike, ky rast duhet të shqyrtohet dhe të zbardhet, gjegjësisht duhet të zbulohet burimi i rrjedhjes së dokumenteve sekrete./21Media

Back to top button