Gjykata konkludoi se përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Kosovës

Gjykata konkludoi se përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë përgjigje kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kërkuan vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. E sipas Gjykatës nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”, thuhet në deklaratë.

Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit.

Gjykata po ashtu konstatoi se me normat kushtetuese në mënyrë shprehimore është paraparë obligimi përkitazi me ushtrimin e kompetencave kushtetuese në sferën e politikës së jashtme për institucionet kompetente dhe se kompetenca për të dialoguar me një shtet të tretë, nuk mund të bartet tek delegacioni shtetëror si “mekanizëm i posaçëm” përmes një akti më të ulët juridik, siç është Ligji i kontestuar.

Gjykata konstatoi se Kuvendi është i obliguar ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese të parapara sipas paragrafit 12 të nenit 65 të Kushtetutës.

Gjykata po ashtu theksoi se paragrafi 1, i nenit 93 të Kushtetutës i përcakton kompetencat e Qeverisë në “propozimin dhe zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit”, përderisa paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94, përcaktojnë se Kryeministri, si i pari i Qeverisë, “Përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë”, si dhe “Këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit”.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Kosovës. Kjo kompetencë është e përcaktuar me Kushtetutë dhe nënkupton, para së gjithash, që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që kanë institucionet e Republikës së Kosovës.

Gjykata po ashtu konkludoi se, kompetenca për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mund të bartet ose transferohet nga institucionet kushtetuese në një “mekanizëm të posaçëm“, siç parashihet me Ligjin e kontestuar.

Gjykata në fund njëzëri vendosi që, nenet 1 (paragrafi 1), 2, 4, 10 (paragrafi 4, nën-paragrafët 1 dhe 2), dhe neni 11 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafin 12 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], paragrafin 1, të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], dhe paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94 [Kompetencat e Kryeministrit] të Kushtetutës, dhe se rrjedhimisht Ligji i kontestuar, në tërësinë e tij, është i papajtueshëm me Kushtetutën”, mbyllet deklarata.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti. Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim./21Media