Baraliu thotë se Kushtetuta është një lloj i librit të shenjtë

Baraliu thotë se Kushtetuta është një lloj i librit të shenjtë

Në shënimin e nëntë vjetorit të themelimit të Kushtetutës së Kosovës, njohës të çështjeve kushtetuese thonë se Kushtetuta duhet të pësojë ndryshime, pasi që ka mangësi, kufizime dhe se në këto vite prej se ka hyrë në fuqi, është shkelur shpesh herë nga institucione dhe individë. Kurse, në disa raste ajo ka qenë edhe pengesë.

Njohësi i Kushtetutës, njëherësh dhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress se gjatë këtyre nëntë viteve, Kushtetuta e Kosovës  megjithëse  është dëshmuar si e qëndrueshme për kohen si ndihmëtare e proceseve politike e ekonomike, kjo Kushtetutë nuk i ka përballuar me sukses të plotë kohës dhe ka prodhuar vendime të diskutueshme, gjë që ka nevojë të ndryshohet apo rishkruhet.

Baraliu thotë se Kushtetuta është një lloj i librit të shenjt dhe do të duhej të respektohej më shumë nga të gjithë. Megjithatë thekson se sa më parë ajo duhet rishkruhet, në mënyrë që ta kemi një Kushtetutë të mirëfilltë.

Edhe profesori Riza Smaka, i cili ishte dhe anëtar i komisionit për hartimin e kësaj kushtetute, shpreh keqardhje që kjo Kushtetutë për nëntë vite u shkel shumë herë.

Smaka thotë se patjetër që duhet të bëhet modifikimi i kësaj Kushtetute dhe se më shumë se 20 dispozita të saj, duhet të rishkruhen dhe të riformulohen. Madje, ia sheh të madhe Qeverisë që nuk e ka vë në agjendë rishikimin e saj.

Shkeljet kushtetuese i ka komentuar edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Hajredin Kuçi.

Kuçi ka komentuar edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës, duke thënë se janë disa gjëra që nuk duhet ndryshuar asnjëherë.

Nëntë vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani Ahtisarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot do ta kenë ditë pushimi./21Media