“Kuvendi duhet të jetë mbi Qeverinë”

Përforcim të mbikëqyrjes së pushtetit ekzekutiv

Roli i deputetit në mbikëqyrjen e shtetit, veçanërisht në mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë duhet të jetë i pavarur nga cilido që është pjesë e pushtetit ekzekutiv. Deputeti i LSDM-së në Maqedoni, Tomisllav Tuntev thotë se duhet të kthehet autoriteti i deputetit, e me këtë edhe funksioni i tij për mbikëqyrjen e pushtetit qendror.

“Grupi parlamentar duhet të jetë grupim individësh, me emër dhe mbiemër, me cilësi, karakteristika dhe performansa vetanake, që ai të kontribuojë në interes të qytetarëve që i përfaqëson”, tha Tomislav Tuntev, nga LSDM, shkruan TV21.TV

Kuvendi ta kthejë rolin e tij të vërtetë që i takon në një sistem politik. Kjo ishte porosia e sekretarit të përgjithshëm të BESËS Afrim Gashi. Ai konsideron se, përderisa në një sistem politik Kuvendi nuk është institucioni qendror, gjithnjë ka për të pasur probleme.

“Kur bëhet fjalë për demokracitë parlamentare, nëse kuvendi nuk është institucioni qendror, nëse atë e mënjanoi apo e hiqni, atëherë kurrë nuk keni për të pasur demokraci parlamentare”, tha Afrim Gashi, nga Lëvizja BESA.

Apel për përforcimin e funksionit mbikëqyrës të pushtetit ligjvënës ndaj atij ekzekutiv dërgoi edhe kryetari i parlamentit Talat Xhaferi i cili konsideron se kjo shumicë parlamentare e ka vullnetin e nevojshëm për ta çliruar kuvendin nga trysnia e qeverisë.

“Jam i bindur se kjo shumicë parlamentare e ka atë dëshirë të nevojshme kritike e cila do lëviz punët në një drejtim pozitiv kur bëhet fjalë për realizimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të R.M.

Në konferencën për përforcimin e rolit të Kuvendit morën pjesë përfaqësues të partive parlamentare me përjashtim të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit./21Media

Back to top button