Amandamentet po presin seancën në Kuvend

Amandamentet po presin seancën në Kuvend

Kaluan 3 ditë nga afati që paralajmëroi BDI për rikthimin e seancës për gjjuhët në kuvend, por ende nuk ka asnjë lajm për këtë. Deputeti Rexhail Ismaili para dy javëve deklaroi se ligji i gjuhës shqipe më 10 shkurt do të kthehet në seancën e Kuvendit.

“Kur do e kemi ligjin për shqipen?

Më 10 shkurt!

Më 10 shkurt miratohet, apo në kuvend kthehet diskutimi?

Më 10 shkurt do e dimë definitivisht çfarë ndodh”, tha Rexhail Ismaili 30.01.2018.

Në pyetjen se çfarë do të ndodhë me vërejtjet që ka dërguar presidenti deri te Kuvendi, deputeti Ismaili thotë se vërejtjet janë të pabaza.

“Vërejtjet që i ka dhënë Presidenti janë të pabaza. Ligji sillet sipas amendamentit 10 të kushtetutës, alinesë dy të atij amendamenti. Realisht, ne si shumicë parlamentare kemi të drejtë që t’i hedhim poshtë këto vërejtje të presidentit sepse janë antikushtetuese”, tha Rexhail Ismaili 30.01.2018.

VMRO-DPMNE ka dërguar amandamente vetëm për nenet që i ka kontestuar presidenti Ivanov dhe kjo hap mundësinë që amandametet e këtij ligji të zgjasin me muaj t tërë.

Gjorgj Ivanov nuk nënshkroi Ligjin e Gjuhës shqipe ku sipas tij miratimi i ligjit hapë debat për ndryshime kushtetuese, që sipas presidentit janë të rrezikshme.

“Në vend se në shpirtin e dialogut dhe bashkëjetesës të ndërtojmë shoqëri multi-etnike nëpërmjet ligjeve të pranueshme juridikisht, ne sjellim ligj të padrejtë dhe represiv me të cilin favorizohet vetëm gjuha shqipe”, tha Presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, 17 Janar 2018, shkruan Tv21.tv

Në nenin 164, alineja 2 të Rregullores së Kuvendit thuhet:

“(2) Gjatë leximit të tretë të propozim-ligjit, amendamente mund të paraqiten vetëm për nenet për të cilat janë miratuar amendamente gjatë leximit të dytë në seancë të Kuvendit.”

Kuvendi i Maqedonisë miratoi më 11 janar Projektligjin për përdorimin e gjuhëve që përcakton me ligj përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet zyrtare me 69 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim. Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më 5 shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15 nëntor të vitit të kaluar. Në këtë javë nuk pritet të ketë asnjë seancë parlamentare për shkak të vizitave të deputetëve dhe të qëndrimit zyrtar të kryeparlamentarit Xhaferi në Britaninë e Madhe./21Media