Kuvendi i bllokuar

Pika e katërt që është në rend dite nuk duket askund

Në seancën  e sotme parlamentare, deputetët me akuza të ndërsjella rreth asaj se kush dhe për çfarë arsye po e bllokon seancën konstitutive. Pika e katërt që është në rend dite nuk duket askund. Sot, para pothuajse të gjithë deputetëve u diskutua për Rregulloren e punës së Kuvendit. LSDM përsëri kërkoi që të kalohet në pikën e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit, duke theksuar se pikës së papërfunduar do t’i kthehen më vonë.

“Derisa nuk dëgjoj një argument i cili do ta kundërshtonte paragrafin apo nuk dëgjoj të lexohet ndonjë dispozitë tjetër e cila do të tregonte se kërkesa ime është e padrejtë, deri atëherë do të kërkoj që Trajko Veljanovski propozimin ta vendosë për votim”, tha Oliver Spasovski nga LSDM.

Reaguan nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, LSDM nuk e ka lexuar deri në fund Rregulloren. Shtojnë se derisa nuk përfundon diskutimi për një pikë të caktuar, nuk mund të kalohet ne pikën tjetër, shkruan tv21.tv

“Ata shumë mirë e dinë se nuk është ashtu dhe se shpjegimi i tyre nuk qëndron fare. Nëse një gjë e tillë realizohet qoftë edhe një herë të vetme, atëherë unë nuk e di se ku do të përfundonim”, tha Vlladimir Gjorçev nga VMRO-DPMNE.

Ndaj kësaj reaguan nga Aleanca për Shqiptarët. Ata i akuzuan deputetët e VMRO-DPMNE-së për manipulim të opinionit.

“Atëherë kur situata nuk ju konvenon, me automatizën theksoni se çështjen e zgjedhjes së kryetarit të ri dëshirojmë ta zgjidhim me forcë. Kur unë thirrem në nenin 78 të Rregullores së punës së Kuvendit, ju thoni se bëhet fjalë për dhunë, ndërsa, kur juve u konvenon, atëherë është në rregull”, tha Vesel Memeti nga Aleanca për Shqiptarët.

Temë e akuzave të ndërsjella u bë edhe Prokuroria Publike Speciale. Antonio Milloshoski deklaroi se nëse bashkëpartiakët e tij flasin kundër LSDM-së, atëherë kundër tyre do të ngrihej padi. Ndaj kësaj, Radmilla Sheqerinska u kundërpërgjigj duke thënë se arsyeja e bllokimit të Kuvendit nga ana e VMRO-DPMNE-së është siç u shpreh “dhimbja e tyre nga Prokuroria Speciale”.

“Fjalët e drejtuara kundër Veljanovskit paraqesin një kërcënim klasik. Nëse nuk e interpretoni rregulloren ashtu siç i përgjigjet LSDM-së, atëherë do të merrni padi nga ana e Prokurorisë Speciale. Nëse Ilija Dimovski flet kundër Zoran ZAevit, PPS do të hap procedurë parahetimore.  Nëse Gjorgje Ivanov nuk ia jep mandatin Zaevit, PPS do të hap hetim edhe kundër Ivanovit”, tha Antonio Milloshoski.

“Dëgjojeni një incizim nga “bombat”. Antonio, edhe ti je në këto incizime, si një patriot i madh. Prandaj je nervoz dhe akuzon. Kjo betejë bëhet që Maqedonia të marrë pak frymë nga vjedhjet dhe gënjeshtrat tuaja të pafundme”, tha Radmilla Sheqerinska.  

Deputetët e shumicës parlamentare edhe sot akuzuan kryesuesin e seancës parlamentare Trajko Veljanovskin për mosrespektim të Rregullores së Kuvendit, por ai u përgjigj se seancën po e drejton në mënyrë të rregullt./21Media

Back to top button