Kuvendi mban seanca më 30 dhe 31 janar

Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e parë për vitin 2019. Në mbledhjen e mbajtur sot, Kuvendi ka marrë vendim që seancat e radhës të mbahen një më 30 janar dhe një tjetër më 31.

Pas mbledhjes së kryesisë, shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu ka bërë të ditur se Kuvendi do të mbajë seancën e parë plenare më 30 janar dhe po ashtu edhe me 31 janar do të ketë seancë.

I pyetur se çka mendon për deklaratat e Vuçiqit, Sejdiu ka thënë se atij nuk i interesojnë deklaratat e Vuçiqit, por për të janë të rëndësishme deklaratat e qeveritarëve tanë.

“Unë jam deputet. Për mua të rëndësishme janë deklaratat e liderëve tanë, e çfarë deklaron Vuqiçi nuk është me rëndësi për mua. Kur jeni bashkë i dalim ballë Serbisë. Për ne është e rëndësishme që të jemi bashkë në Kuvendin e Kosovës. Njohja është parakusht i çfarëdo marrëveshje”, ka thënë Sejdiu.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së kryesisë, ka thënë se ndjehet i frikësuar se në Kuvend do të fillojë avazi i vitit të kaluar.

Hoti ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në këtë mbledhje nuk ka shqyrtuar krizën e vendit, grevat e shumë sektorëve.

“Në këtë mbledhje as nuk e shqyrtoj fare çështjen e krizës totale që e ka kapluar shtetin, me greva në arsim, shëndetësi. Nuk marrin përgjegjësi për situatën e krijuar. Me grevën e minatorëve e njëjta gjë”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, kërkesat e grevistëve duhet të shqyrtohen me shumë kujdes. Ndërkaq, për ekipin negociator ai ka thënë se nuk përfaqëson askënd, është pa fuqi politike.

Lidhur me vizitën e Putinit në Serbi dhe deklaratën e Vuçiqit se nuk marrin asnjë vendim, pa marrë sinjal nga Rusia, Hoti ka thënë se për sjelljet e presidentit serb nuk është çudi. Hoti ka thënë se serbët janë më të orientuar kah lindja, sesa kah perëndimi.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka vizituar dje Serbinë. Gjatë kësaj vizite, Putin ka diskutuar zgjidhjen e krizës së Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet rajonale me homologun e tij, Aleksandër Vuçiq./21Media

Back to top button