Kuvendi s’e monitoroi Qeverinë në procesin e dialogut

Rreth 75 përqind e qytetarëve nuk janë të kënaqur me Kuvendin në monitorimin e Qeverisë në procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë

Kjo shifër ka dal nga një sondazh i realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, i prezantuar në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme me kryetarët e komisioneve parlamentare.

Një nismë e tillë, ka të bëjë me koordinimin dhe hartimin e qëndrimeve të komisioneve parlamentare për procesin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që të jetë një proces me transparentë dhe llogaridhënës.

Jeta Krasniqi nga KDI-ja theksoi se është koha që komisionet parlamentare të kenë një koordinim mes vete rreth procesit të dialogut, meqë sondazhi i fundit është alarmant sa i përket monitorimit të Qeverisë nga ana e Kuvendit në procesin e dialogut.

 

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica theksoi se dialogu duhet të jetë çështje mbi partiake, sepse është çështje e interesit, shtetëror dhe Kuvendi duhet ta luaj rolin e tij.

Reçica shtoi se takimi i këtij formati ka të bëjë me koordinimin dhe hartimin e qëndrimeve rreth dialogut me Serbinë.

 

“Dialogu është një çështje e interesit shtetëror, proces në të cilin Kuvendi duhet të luaj rolin e vet të pakontestueshëm, atë çfarë e ka si rol kushtetues dhe ligjor. Me anë të këtij diskutimi mendojmë të flasim hapur rreth rolit të komisioneve tona që komisionet mund të luajnë dhe duhet të kenë në procesin e monitorimit të ekzekutivit, gjithashtu të flasim rreth të ardhmes së këtij procesi”, tha Reçica.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu, duke paraqitur edhe qëndrimet partiake, ritheksoi se ata nuk janë për këtë lloj dialogu. Theksoi se është koha e fundit që si Kuvend, si deputet, ta kenë qëndrimin e qartë për dialogun dhe ta kenë qëndrimin për secilën marrëveshje të arritur në Bruksel.

Pasi, sipas saj, secila marrëveshje e nënshtruar në Bruksel është kundër interesave të Kosovës.

 

Kritika të shumta për këtë proces pati edhe deputetja e PDK-së, njëherit kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale Flora Brovina. Sipas saj, Kosova e ka tepruar me të drejtat për komunitetet, sepse e kemi bërë shtetin jo funksional.

 

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri Muhamet Mustafa vlerësoi se dialogu është çështje e interesit nacional, prandaj monitorimi i qeverisë duhet të jetë më i rreptë dhe me sistematik. Theksoi se duhet të jenë kritik ndaj vetvetes, sepse nuk kanë qenë shumë aktiv në këtë proces.

 

Edhe kryetarët e tjerë të komisioneve ngritën çështje që lidhen me dialogun me Serbinë. Në emër të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje te FSK-s Nuredin Ibishi foli për Fusnotën e famshme, duke thënë se ka paraqitur probleme të shumta në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë, sikurse është INTERPOL-i. Ndërsa, pati një kërkesë për kolegët e tij të komisioneve tjera, që të shkojnë në veri meqë qeveria po heziton të shkoj dhe do ta shohin se realiteti është tjetër.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit për të drejtat e njeriut Lirije Kajtazi kërkoi që në këtë proces të futet çështja e pagjeturve dhe se Serbia duhet t’i hap arkivat.

Back to top button