​Kuvendi rrëzon rezolutën e opozitës për kontratat njëburimore

(Lajm i përditësuar)

Kuvendi i Kosovës ka rrëzuar rezolutën e opozitës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Kundër kësaj rezolute votuan 60 deputetë, ndërkaq një abstenoi. Në votim morën pjesë vetëm deputetët nga mazhoranca, pasi deputetët opozitarë më herët kishin lëshuar seancën plenare.

Krahas kësaj, dështoi të zgjidhet një anëtar në Bordin e RTK-së nga komuniteti shqiptarë, pasi asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e nevojshme, rrjedhimisht konkursi përsëritet.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbylli punimet e seancës së sotme plenar


Kontratat njëburimore, Abdixhiku kërkon reagimin e Prokurorisë Speciale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale të reagojë në lidhje me kontratat njëburimore të Qeverisë Kurti.

Abdixhiku në seancën e Kuvendit, ka thënë se praktika e tenderëve siç i quajti ai “sekret” janë të dëmshme për vendin.

“Kjo praktikë ka një emër, dhe i thonë tender sekret. Tenderët sekret janë shpërndarje e pares së shtetit, prej buxhetit te operatorët, bizneset, pa asnjë procedurë, garë, drejt për së drejti marrëveshje direkte. Kjo praktikë në tre vite është bërë besoni ose jo 781 herë. Shtetin e Kosovës 781 tenderë sekret janë dhënë për tre vjet dhe vlera e tyre është 209 milionë euro”, tha ai.

Ai theksoi se mosveprimi i Prokurorisë Speciale është aprovim i praktikës së tenderëve njëburimor.

“Në MPB 15 milionë euro për shërbime të IT-së e tani këtu bëhet e çuditshme dhe evidente, kur procedura ka qenë e hapur kur ka pasë garë kanë konkurruar kompani, çmimi përfundimtar ka qenë 9.5 milionë euro kanë ardhur në pushtet kanë mbyllur tenderë, janë ulur kanë bërë negociim dhe është nënshkruar marrëveshja drejtpërdrejtë, pa procedurë, 15 milionë euro. Prokuroria Speciale duhet të bëjë punën e vet, këtë listë e ka, jemi të gatshëm të jemi dëshmitarë e dorëzues te secili tender veç e veç, siç e kemi marrë. Mosveprimi i Prokurorisë Speciale është aprovim i kësaj praktike”, tha Abdixhiku.


Dështon themelimi i komisionit hetimor për tenderët njëburimorë

Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për tenderët njëburimorë.

Në sallë ishin të pranishëm 63 deputetë, ndërsa në votim morën pjesë 26 përfshirë edhe Konjufcën që votoi pro themelimit të këtij komisioni.

 


Abdixhiku: Derisa po flasim në Kuvend, dikush nga VV-ja ka qenë duke nënshkruar një tender sekret

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, për numrin e lartë të kontratave njëburimore.

 

Në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për nisjen e iniciativës rreth hetimit të kontratave njëburimore. Këto kontrata, sipas tij, kanë një emër – “tender sekret”.

 

“Ajo që po provojmë të bëjmë këtu, dua të përgëzoj deputeten Bajrami që ka nisur këtë iniciativë. Është përshkrimi i një praktike të shpërndarë në gjithë sistemin publik të Kosovës. Kjo praktikë ka një emër, dhe i thonë tender sekret. Tenderët sekret janë shpërndarje e pares së shtetit, prej buxhetit te operatorët, bizneset, pa asnjë procedurë, garë, drejt për së drejti marrëveshjet direkte”, ka thënë ai.


Mustafa-LVV-së: Mos na tregoni përralla amoni ju koftë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa i është kundërpërgjigjur deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi, lidhur me kontratat njëburimore. Këtij të fundit, Mustafa i tha se kryeshefi i KEK-ut është arrestuar për korrupsion e tenderë njëburimor.

Në seancë të jashtëzakonshme për themelimin e komisionit hetimor, Mustafa përmendi kontratat njëburimore të nënshkruara nga ministritë.

“Adnan edhe Vetëvendosje, keni harruar që kryeshefi që e keni emëruar ju të KEK-ut, është arrestuar për shkak të tenderave një-burimor, se u mundove me thënë që LVV janë të pa korruptuar dhe të pa korruptueshëm, kryeshefi që e keni emëruar ju edhe zyrtari i LVV-së që e keni pasur drejtor a koordinator për sektorin e energjisë në parti, e keni çuar kryeshef në KEK edhe është arrestuar për korrupsion, për tendera njëburimor. Kështu që mos na tregoni përralla, amoni ju koftë”, deklaroi Mustafa.

Tutje, Mustafa shtoi se në Ministrinë e Ekonomisë janë 151 kontrata njëburimore të cilat janë negociuar në katër sy.


​Rrustemi del kundër hetimit të kontratave një-burimore: Në Qeverinë Kurti nuk ka korrupsion

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se nuk ka bazë për hetimin e kontratave, gjë të cilën po e kërkon opozita.

Sipas tij, partitë opozitare po mundohen që me komisione hetimore të hedhin baltë mbi Qeverinë Kurti. Teksa përmendi shumat e kontratave një-burimore në komunat ku udhëheq opozita, Rrustemi u shpreh se këto parti po mbyllin sytë në institucionet ku qeverisin.

Në seancë të jashtëzakonshme për themelimin e komisionit hetimor për kontratat një-burimore, Rrustemi tha se në këto kontrata nuk ka asgjë të dyshimtë.

Ai tha se kjo procedurë tenderuese është përdorur shumë në qeverisjet e kaluara.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Rrustemi shtoi se në komunat ku po udhëheq opozita ka kontrata një-burimore më shumë se në institucionet që po udhëheq pushteti.


Tahiri: Kjo qeveri ka kontraktuar 781 kontrata njëburimore

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se kryeministri Albin Kurti, për herë të parë, e ka korruptuar luftën kundër korrupsionit.

Siç tha ai, kryeministri e sheh të korruptuar vetëm atë që nuk është në Vetëvendosje.

“Ka një frikë shumë serioze të kësaj qeverie në raport me hetimin e kontratave njëburimore që shuma e tyre vjen në 209 milionë euro. Kjo qeveri ka kontraktuar 781 kontrata njëburimore të cilat pa asnjë dyshim janë burim i korrupsionit dhe burim i keqpërdorimit”, tha ai,


Deliu-Kodra: Kontratat njëburimore standard i përditshëm i qeverisë

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kontratat njëburimore janë bërë standard i përditshëm i qeverisë Kurti.

“Nuk po flasim sot për dështimët e mëdha të kësaj qeverie, por për kontratat njëburimore. Korrupsion i madh i një qeverie përmes kontratave njëburimore. Se korrupsioni është bërë mjet i kësaj qeverie e kemi thënë edhe dy vjet më parë, kemi denoncuar me fakte keqpërdorimet. Edhe atëherë kemi ngritur shqetësimet tona si PDK, se kontratat njëburimore janë bërë rregull i punës në gjithë qeverinë e Kosovës. Janë bërë standard i përditshëm i kësaj qeverie”, u shpreh ajo në seancën ku po diskutohet për kontratat njëburimore.


​Seanca nis me një minutë heshtje për të rënët për liri

Seanca e Kuvendit të Kosovës sot ka filluar me një minutë heshtje në nderim të të vrarëve në masakrën e Izbicës dhe masakrën në familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu.

Seanca e jashtëzakonshme në lidhje me themelimin e Komisionit Hetimor për kontratat një-burimore të nënshkruara gjatë qeverisjes Kurti, filloi me një minutë heshtje të deputetëve.


​Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës, atë të themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

Back to top button