Diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi

Diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi

Në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temë “Roli i Kuvendit në të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi”, me përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Kuvendit nga pozita dhe opozita, u kërkuar që roli i Kuvendit të përfshihet në dialog midis Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet isufi, tha se e mbeshtesin dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si të barabart në sqarimin e çështjeve midis dy shteteve duke obliguar palët që pas çdo marrëveshje palët të i sjellin rezultatet. “Duhet të ketë raportim në Kuvend për dialogun” tha Isufi.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë veprim i njëanshem qeveritar duke u anashkaluar kuvendi. “Dialogu ka filluar pa pasur një agjendë të qartë dhe gjatë gjithë kohës kishte mos transparencë. Dialogu me Serbinë ka kaluar në nivel skizofrenik. Dialogu me Serbinë duhet të i kthehet Kuvendit” tha Konjufca.

Ndërsa Elmi Reqica nga PDK-ja deklaroi se çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel duhet të raportohet dhe të ratifikohet në parlament me 2/3 e perfaqësuesve të popullit. “Kërkojmë të bëhet riformatimi i dialogut me Serbinë. Duhet të formohet një ekip i unitetit ku dialogu të përfundojë me njohje të ndërsjellë” tha Reqica.

Ndërkaq, Bilall Sherifi, nga Nisma për Kosovën mendon se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë por si dy shtete të pavarura. “Deri më tani dialogu Kosovë-Serbi ka qenë i njëanshëm dhe ka sjellur marrëveshje të gabuara” tha Sherifi./21Media