Të gjithë deputetët votuan pro këtij komisioni

Të gjithë deputetët votuan pro këtij komisioni

Kuvendi i Kosovës ka votuar mocionin për formimin e Komisionit të veçantë për të dënuar krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë. Themelimin e këtij komisionit e kanë votuar të gjitha partitë politike dhe prej 68 deputetëve sa ishin prezent në seancë të gjithë votuan pro këtij komisioni.

Propozimin për komisionin për krijimin e një komisioni dhe rezolute për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë e ka bërë deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se si parti politike do e mbështesin rezolutën dhe krijimin e komisionit ad –hock për sanksionet ndaj krimeve serbe në Kosovë. Haxhiu ka thënë se VV e mbështetë themelimin e një gjykate vendase, ashtu siç kanë kërkuar para votimi të Gjykatë Speciale. Sipas Hashiut, as UNMIK, as EULEX dhe as institucionet vendase nuk kanë pasur vullnet për t’i adresuar krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Përfaqësuesja jonë në këtë do t’i jap të gjitha qendrimet e Vetëvendosjes të shkruara natyrisht propozimet tona, pra nga kjo seancë sot nuk mund të paragjykojmë se cili do të jetë qëndrimi i këtij komisioni ad-hock sepse u përmend nga ju një tribunal për krimet e Serbisë, në fakt ne është dashur qysh moti ta kemi një Gjykatë të veçantë që trajton të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë siç kanë bërë të gjitha vendet e Ish Jugosllavisë, sepse ne jemi dëshmitar që as UNMIK, dhe as EULEX-i, por as institucionet vendase as minimumin e vullnetit për të adresuar krimet e kryera nga Serbia”, ka thënë Haxhiu.

Përfaqësuese në komisioni ad-hock për sanksionet e krimeve serbe në Kosovë nga Vetëvendosje do të jetë Saranda Bogujevci.

Këtë nismë të Sherifit e kanë mbështetur edhe PDK e LDK. Shefi i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se edhe PDK e kanë përkrahur rezolutën për sanksione ndaj gjenocidit serb në Kosovë. Krasniqi ka treguar se përfaqësuesi i PDK-së në këtë komision do të jetë deputeti Mërgim Lushtaku.

“Si grup parlamentar e mbështesim plotësisht këtë inicativë të cilën e kemi diskutuar edhe javën e kaluar dhe është përmendur edhe në këtë Kuvend, kështu që ne do të kemi përfaqësuesin tonë në komisionin që do të themelohet dhe propozojmë që  përfaqësues në këtë komision të jetë deputeti Mërgim Lushtaku”, ka thënë ndër tjerash ai.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që kjo rezolutë të jetë në frymën e parlamentit evropian dhe të jetë e pranueshme për të gjithë deputetë e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar se ideja e rezolutës është që të vazhdohet me hapa të tjerë, pasi duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe.