Banorët e fshatit kanë vendosur rreth xhamisë qese me produkte ushqimore

Banorët e fshatit kanë vendosur rreth xhamisë qese me produkte ushqimore

Muaji i Ramazanit është muaji më i rëndësishëm për myslimanët, i cili njihet si muaji i mëshirës, solidaritetit, mirëqenies, ndihmesës etj. Për nderë të këtij muaji njerëzit anë e mbanë botës, përveç agjërimit mundohen që të përmirësojnë veten dhe të ndihmojnë sa më shumë të tjerët.

E kur jemi te ndihma, për nderë të Ramazanit, banorët e një fshati të komunës së Podujevës kanë marrë një iniciativë për të ndihmuar të tjerët. Bëhet fjalë për banorët e fshatit Shajkovc, të cilët kanë vendosur qese me gjëra ushqimore në rrethojat e xhamisë së fshatit, të cilat kanë mundësi t’i marrin të gjithë ata që kanë nevojë, shkruan rtv21.tv

Fillimin e kësaj iniciative e ka bërë të ditur profesori i gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, Patriot Rudari, i cili është banor i fshatit Shajkovc.

“Për nder të muajit të Shenjtë të Ramazanit, për ata që vërtet kanë nevojë për gjëra ushqimore, këtë herë po e ndryshojmë metodën e dhurimit. Kështu, ne do të vëmë qese me gjëra ushqimore në rrethojën e xhamisë së fshatit Shajkoc, qese këto në të cilat do të ketë artikuj të ndryshëm ushqimor që do t’i marrin familjarët e fshatrarve të tjera që vërtet kanë nevojë. Këtë punë humanitare po e bëjmë bashkë me familjet e fshatit tonë-Shajkoc”, ka shkruar Rudari së fundmi në facebook, teksa ka shoqëruar edhe disa imazhe.

Kujtojmë që profesori Rudari në vitin e kaluar kishte marrë një iniciativë interesante, qeset me mollat tepricë i kishte vendosur rreth murit të shtëpisë, iniciativë që ishte mirëpritur nga qytetarët.

Përveç oborrit të shtëpisë së tij, iniciativën me molla, profesori vitin e kaluar e kishte vazhduar në fshatin Ballovc, te “Lagjia e Kuvajtit”, si dhe te gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”, iniciativë që kishte zgjatur 1 muaj dhe ishte pritur mirë nga qytetarët.

Muaji i Ramazanit sivjet filloi me më 06 maj (e hënë), ndërsa do të përfundojë më 03 qershor (e hënë). Sipas statistikave të vitit 2015 në botë janë 1.8 miliardë myslimanë në botë./21Media