Kyçja e Vitisë në autoudhën “Arbën Xhaferi” në shtator

Lekaj takoi përfaqësuesit e banorëve të Vitisë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, priti në një takim një delegacion të gjerë të qytetarëve e përfaqësuesve të Komunës së Vitisë, me ç’rast i ka informuar dhe siguruar ata, se kërkesa e tyre për qasje të Vitisë në Autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit, do të bëhet dhe se implementimi i këtij projekti do të fillojë nga mesi i shtatorit të këtij viti.

“Ne u zotuam si Ministri e Infrastrukturës, që kyçja e Vitisë në Autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit do të ndodhë, vendimi është marrë dhe se ai vendim duhet të implementohet. Koha e zgjatjes së këtij implementimi do të jetë deri nga mesi i shtatorit, kur edhe do të fillojnë punimet për kyçje të Vitisë në Autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit. Jemi zotuar që pa stërzgjatje të projektit kjo të ndodhë dhe biseduam edhe me krerët e komunës, përfaqësuesit politik të nivelit qendror të kësaj ane, si dhe shoqërinë civile, që ne të  implementojmë kërkesën e qytetarëve, e cila do të ketë impakt pozitiv në zhvilimin ekonomik të Vitisë, por edhe në mos shpërnguljen e qytetarëve të këtij qyteti. Unë nuk do të hyjë në detaje tjera, por kjo kyçje e Vitisë në autoudhë, do të ndodhë në mesin e shtatorit të këtij viti”, tha Lekaj, bëhet e ditur në komunikatën e ministrisë.

Në anën tjetër, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, duke folur në emër të institucioneve lokale të Vitisë tha se i falënderohet ministrit Lekaj, për gatishmërinë e treguar që të trajtojë drejt dhe saktë, kërkesën e banorëve të komunës së tij, për kyçjen që do të bëhet në Gërlicë, e cila e lidhë tërë këtë pjesë të rajonit dhe jo vetëm Vitinë me Prishtinën dhe Shkupin.

Ndërsa, përfaqësuesit nga shoqëria civile e Vitisë, duke e falënderuar ministrin Lekaj, siç theksohet në komunikatë, kanë deklaruar se zotimi i ministrit Pal Lekaj, për fillimin e implementimit të projektit për kyçje në autoudhë është lajmi i mirëpritur nga qytetarët e Vistisë.

Ai është shprehur se ata do ta anulojnë protestën e paralajmëruar për ditën e enjte, pasi kanë marrë garancat e duhura se në mesin e shtatorit do të fillojë implementimi i projektit për kyçje të Vitisë në Autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit, konkretisht në fshatin Gërlicë./21Media

Back to top button