Labi do ta vizitojë familjen Abazi

Labi do ta vizitojë familjen Abazi

Këngëtari i mirënjohur shqiptar, Labinot Tahiri ka mbledhur 2 mijë euro për ta ndihmuar familjen Abazi nga Gjilani, e cila tragjikisht humbi dy djemë në tërmetin e 26 nëntorit. Lajmin e bëri të ditur përmes një fotografie të cilën e publikoi në Instagram.

“Mirëmengjesi!  Ju lus që më shumë punë të bejmë, se sa fjalë. Edhe ky premtim u krye. Ua beft Zoti hallall familjes Abazi kontributin e Shqiptarëve. Ata fëmijë, do të shkoj ti vizitoj edhe vetë, gjatë këtyre ditëve. Labi-Ferizaj Kosovë e Shqipërisë.”, shkroi Labi krahas fotografive në Instagram, transmeton rtv21.tv

Në ndihmë Labi u ka dalë edhe të prekurve nga tërmeti në Shqipëri. Ka mbledhur 10 mijë euro për Shqipërinë.

Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit që ka goditur Shqipërinë, kanë vdekur 52 persona, ndërsa janë lënduar rreth 900 persona.

Në mesin e viktimave ishin dy vëllezërit nga fshati Livoç i Gjilanit. Atyre iu dha lamtumira e fundit më 28 nëntor, ku të pranishëm ishin shumë qytetarë. Shemsedin e Isa Abazi kishin shkuar në Durrës për të punuar. Shemsedin Abazi ishte 32 vjeç dhe la pas vetes bashkëshorten dhe katër fëmijë, ndërsa Isa Abazi ishte 29 vjeç dhe la bashkëshorten me 2 fëmijë./21Media