Ismaili: Lajm i mrekullueshëm për aktivistët

Ismaili: Lajm i mrekullueshëm për aktivistët

Deputeti i VV-së, Fisnik Ismaili ka reguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për aktivistët e VV-së.

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarve Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit dhe Egzon Halitit dhe të njëjtit do të mbrohen në liri, e këtë vendim Ismaili e ka quajtuar të mrekullueshëm në ditëlindjen e dhimbshme të Astrit Deharit.

“Lajm i mrekullueshëm për aktivistët, në ditëlindjen e dhimbshme të Astritit. Një pikë shprese në tanë këtë pikëllim”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Ndryshe trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë e kishte shpallur aktgjykimin me 17 nëntor të vitit të kaluar, ndaj katër aktivistëve të VV-së për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Aktivistët e VV-së ishin shpallur fajtorë për akuzën dhe ishin dënuar me një total prej 21 vjet e 6 muaj burg. Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg./21Media