Lansohet platforma që ofron mundësi për vende të reja të punës

Vendi i ardhshëm i punës

Open Data Kosovo dhe OEK lansuan platformën digjitale “The Future Workplace” (Vendi i ardhshëm i punës) që ka për synim që politikbërësit të bëjnë politika më të mira, bizneset të bëjnë planifikim më të mirë biznesor, ndërsa të rinjtë planifikim më të mirë të karrierës.

Me këtë rast kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi theksoi se kjo platformë për hapjen e të dhënave është një mënyrë inovative për ta përkrahur zhvillimin ekonomik të vendit dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Është mirë që kemi një promovim të kësaj platforme dhe kemi një pajtueshmëri që edhe vende të punës të reja mund të krijohen duke shfrytëzuar të dhënat cilësore, duke bërë politika më të mira, mirëpo edhe bizneset duke reflektuar më mirë në pjesën e zhvillimeve në tregun e punës”, deklaroi Rukiqi.

Ndërsa, Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv në Millenium Foundation Kosovo, tha se ky projekt është një shembull i mirë i bashkëpunimit për një fushë mjaft specifike.

Selimi tha se platforma luan një rol të madh për qeverinë e ardhshme për të parë rrjedhën e të dhënave për fuqinë punëtore dhe të edukimit.

“Për herë të parë vitin e kaluar vendosëm të punojmë ose të sfidojmë sektorin privat, OJQ-të, Akademinë për përpunimin të dhënëve në tregun e punës për të parë hendekun në tregun e punës dhe në sektorin e arsimit. Qëllimi i dytë ka qenë që të krijohet një piramidë e bashkëpunimit në mes sektorit publik, OJQ-ve dhe sektorit privat…Për me mund qeveria e ardhshme, donatorët, me parë se ku janë vendet e punës dhe ku janë mundësitë në Kosovë, platforma luan një rol të madh”, theksoi Selimi.

Drejtoresha ekzekutive në Open Data Kosovo, Blerta Thaçi tha se bashkë me partnerin, OEK, janë identifikuar kërkesa në fushën e teknologjisë për përgatitjen e të rinjve për këtë industri.

“Bashkë me partnerin tonë kryesor me Odën Ekonomike, kemi identifikuar që kërkesa më e madhe në fushën e teknologjisë është për këtë treg dhe sa ne si shtet jemi duke i përgatitur të rinjtë të cilët mund të punojnë në këtë industri”, tha Thaçi.

Back to top button