Lansohet platforma me profilet e deputetëve

Lansohet platforma me profilet e deputetëve

Nga sot të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të informohen edhe më shumë rreth aktiviteteve që bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo pasi që sot në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë Kuvendi i Kosovës ka lansuar platformën me profilet e deputetëve në ueb faqen e Kuvendit dhe faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës në rrjetin social, Facebook.

Përmes profileve të deputetëve qytetarët do kenë mundësi të njihen më shumë edhe me biografinë e secilit anëtar partiak në Kuvendin e Kosovës.

Shqipe Pantina, anëtare e Forumit për Transparencë Parlamentare tha se me qëllim që të rrisin komunikimin me qytetarët e Kosovës kanë krijuar profilet e deputetëve, përmes të cilave qytetarët do të mund të informohen për punën e secilit deputet.

“Ne po mundohemi të shfrytëzojmë po ashtu edhe teknologjinë informative në mënyrë që të rrisim komunikimin me qytetarët dhe unë këtu dua t’i falënderoj veçanërisht stafin e Kuvendit por edhe të NDI-së që kanë punuar në hartimin e ueb faqes së re dhe krijmin e profileve të deputetëve, ku ju do të mund të njiheni me punën e secilit deputet, por natyrisht edhe deputetët do të mund më mirë t’iu informojnë juve me atë se çfarë janë duke bërë në Kuvend jo vetëm në seancat plenare”, ka thënë Pantina.

Sot e tutje qytetarët e Kosovës do të mund t’i përcjellin aktivitetet e Kuvendit të Kosovës edhe në rrjetet sociale Facebook, Twitter, Instagram.

Ndryshe, gjatë tërë ditën në Kuvendin e Kosovës janë organizuar aktivitete të shumta për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë dhe disa nga aktivitetet janë: Tryezë Diskutimi e organizuar nga Grupi i Grave, debat publik me deputete/ë dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), hapja e Panairit të Organizatave të Shoqërisë Civile etj.