Lansohet koncept-dokumenti për skemën e ndihmës sociale

Fëmijëve me asistencë sociale nuk do t’iu ndërpritet ndihma

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në dorëheqje, Skender Reçica, ka lansuar koncept-dokumentin për skemën e ndihmës sociale.

Reçica ligjin aktual për asistencë sociale e cilësoi si diskriminues dhe me mangësi. Një ndër mangësitë sipas ministrit është ndalja e asistencës për familjet që ndonjë anëtarë i tyre është në një marrëdhënie pune, mandej ndërprerja e ndihmës sociale për fëmijët mbi moshën 5 vjeçare.

Në bazë të programit legjislativë të MPMS, si dhe strategjisë së saj bazuar në planin kombëtar për zbatimin e MSAS-së, MPMS lanson një nga dokumentet më të rëndësishme kohëve të fundit sipas Reçicës.

“Sot MPMS lanson për konstruktim publik një nga dokumentet më të rëndësishme të cilat janë hartuar kohëve të fundit bëhet fjalë për Koncept-Dokumentin për reformën e asistencës sociale në vend”, tha ai.

Ai tha se ligji për skemat pensionale do të bazohet në praktikat më të mira të mbështetura në praktikat e Bashkimit Evropian.

“Duke pasur parasysh të gjitha këto fakte, duke pas parasysh të gjitha këto që ne jemi ballafaquar me zbatimin e ligjit me skemat e ndihmës sociale kemi hartuar koncept dokumentin e reformës së asistencës sociale nga i cili do të burojë ligji për skemat e asistencës sociale. Ky ligj do të jetë ligj që është mbështetur në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian… me këtë ligj synohet që ta luftojmë varfërinë në vend”, tha ai.

Ai duke u ndalur në parashtrimin e projektligjit të ri, tha se fëmijëve me asistencë sociale nuk do t’iu ndërpritet ndihma deri në moshën 18 vjeçare, me gjasë nga 10 euro. 70 mijë fëmijë do të përfitojnë nga kjo skemë.

“Fëmijët e familjeve në mbështetje të asistencës sociale do të kenë shtesa për ta deri në moshën 18 vjeçare dhe kush është numri i fëmijëve që do t’i prekë kjo reformë. Bëhet fjalë për 70 mijë fëmijë të familjeve më asistencë sociale.. është menduar që ndoshta do të fillohet me nga 10 euro…rëndësi e veçantë e krejt kësaj reformë është që anëtarët e familjeve përfituese të cilët janë të aftë për punë me projektligjin e ri nuk do të përjashtohen nëse do të kyçën në një marrëdhënie pune qoftë me punë të rregullt”, tha ai.

Në fund ministri tha se qëllimi i këtij projektligji është që shkallën e varfërisë nga 16.3 sa është momentalisht do të ulet në 11.5 përqind me qëllim eliminimin e saj tërësisht.

“Qëllimi i krejt kësaj reforme ka të bëjë që ta luftojmë varfërinë dhe me opsionin që ne e kemi propozuar vetëm në vitin e parë shkalla e varfërisë nga 16.3 sa është do të ulet në 11.5 për t’u vazhduar vite pas viteve deri në eliminim e plotë të shkallës së varfërisë në vend”, tha ai.

Back to top button